MASHT

ZV/MINISTRI PUPOVCI MORI PJESË NË FORUMIN “POLITIKAT E PUNËSIMIT DHE AFTËSIMIT PROFESIONAL NË KOSOVË DHE SHQIPËRI”

19 Maj, 2021

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka marrë pjesë në Forumin e Dytë Rajonal “Politikat e Punësimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë dhe Shqipëri”, i cili ka qëllim të shqyrtojë politikat aktuale të punësimit përfshirë ndërlidhjen me politikat e aftësimit profesional, si dhe me nevojat aktuale të të dy vendeve.

Në këtë Forum, të organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), zëvendësministri Pupovci foli për organizimin e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, sfidat dhe vështirësitë, si dhe për planet për zhvillimin e këtij segmenti të arsimit.  

Duke folur harmonizimin e sistemit të arsimit me kërkesat e tregut të punës dhe politikat e punësimit, zv/ministri Pupovci theksoi se në përgjithësi kjo lidhje është e dobët në Kosovë. Ai tha se sektori privat ka ende vështirësi që t’i definojë nevojat e veta, ndërsa institucionet e AAP dhe të arsimit të lartë nuk janë ende në pozitë që ta furnizojnë tregun e punës me punonjës të përgatitur për t’u përballur me kërkesat e punëdhënësve.

Zëvendësministri i Arsimit theksoi se në këtë drejtim, ndër të tjera, është shumë e nevojshme të sigurohet informacion i saktë për nevojat e tregut të punës, pjesëmarrje më aktive e industrisë në zhvillimin e programeve të AAP dhe AL si dhe përmirësimi i cilësisë së programeve përmes punës praktike, ndërsa është e rëndësishme edhe përmirësimi i imazhit të AAP në shoqëri.

Forumi “Politikat e Punësimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë dhe Shqipëri”

mëton të shërbej si platformë për identifikimin e problemeve dhe praktikave të mira si dhe të ofroj rekomandime për aplikimin e politikave efektive të punësimit të cilat prioritizojnë punësimin e grave.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.