MASHT

TURQIA DO TË VAZHDOJË TA MBËSHTESË ARSIMIN NË KOSOVË

20 Maj, 2021

Gjendja në të gjitha nivelet e arsimit dhe vazhdimi i bashkëpunimit në arsim me Republikën e Turqisë, kanë qenë temat e takimit mes ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci dhe ambasadorit të Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, i cili ishte i shoqëruar edhe nga sekretarja e tretë e Ambasadës, Dilara Çelik dhe konsulenti për arsim, Şerafettin Turan.

Ministrja Nagavci e ka falënderuar ambasadorin Sakar për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Kosovës shteti turk, e veçanërisht sektorit të arsimit. Ajo theksoi se arsimi është një nga prioritetet në programin qeveritar dhe e informoi Ambasadorin për politikat dhe planet për zhvillimin e arsimit.

Në këtë drejtim, Ministrja tha se është e rëndësishme mbështetja që mund të ofrojë Turqia në zhvillimin dhe avancimin e arsimit, duke filluar nga kopshtet e deri te arsimi i lartë, por edhe në fushat tjera që mbulon kjo Ministri.

Në takim u diskutua po ashtu edhe për mësimin në gjuhën turke në Kosovë dhe kontributin që mund të japë Turqia për të përmirësuar cilësinë e mësimit për nxënësit e komunitetit turk.

Ambasdori i Turqisë e ka uruar ministren Nagavci për detyrën e re, ndërsa ka ofruar mbështetjen e mëtutjeshme për arsimin në Kosovë.

Ambasadori ka përmendur shumë projekte të realizuara në arsim, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të reja, duke e lënë të hapur edhe mundësinë e rishikimit të Memorandumit në fuqi mes dy vendeve.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.