MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË HAPJEN E QENDRËS SË KARRIERËS NË QENDRËN E KOMPETENCËS NË PRIZREN

19 Maj, 2021

Arsimi dhe aftësimi profesional do të jetë një nga prioritetet e kësaj qeverisje, duke qenë se ky segment i arsimit ofron zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe rritje të punësueshmërisë te të rinjtë. Kështu u shpreh ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShTI), Arbërie Nagavci gjatë ceremonisë së hapjes së Qendrës së karrierës në Qendrën e Kompetencës në Prizren.

Ministrja Nagavci theksoi rëndësinë e kësaj Qendre, e cila do të këshillojë nxënësit, do t’i udhëzojë ata në karrierë dhe do të ndërmjetësojë punësimin e tyre. Prandaj, falënderoi edhe projektin EYE (Enhancing Youth Employment – Përmirësimi i punësimit të rinisë) për përkrahjen që ka dhënë për hapjen e kësaj qendre, por edhe të shumë qendrave të tilla në shkollat e arsimit profesional.

Ministrja theksoi se nga Qendra nuk do të përfitojnë vetëm nxënësit që vijojnë mësimin, por edhe të diplomuarit, nxënësit që do të regjistrohen, të rriturit dhe ata që braktisin shkollën, prindërit, komuniteti dhe bizneset. Ajo tha se gjithashtu, qendrat e karrierës do të luajnë rol të rëndësishëm për rritjen e regjistrimit të të rinjëve në këto shkolla profesionale, do ta përmirësojnë vetëdijesimin e prindërve dhe do t’i forcojnë marrëdhëniet me sektorin privat dhe tregun e punës.

Duke folur për domosdoshmërinë e krijimit të një lidhje të fuqishme mes arsimit profesional dhe bizneseve, ministrja Nagavci tha se është e rëndësishme po ashtu që shkathtësitë e të rinjve tanë të përmbushin kërkesat e bizneseve.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka theksoi rëndësinë që ka kjo qendër për nxënësit dhe komunitetin, ndërsa përfaqësuesit e projektit EYE thanë se udhëzimi për karrierën është shumë i nevojshëm dhe qendra të tilla kanë rëndësi të madhe për të ndihmuar të rinjtë që të orientohen saktë në karrierë.

Me përkrahjen e projektit EYE është bërë edhe trajnimi i trajnerëve për Këshilltarë në Karrierë dhe Qendra e Kompetencës në Prizren do të jetë qendër për ofrimin e trajnimeve të tilla, e cila njëkohësisht do të rrisë bashkëpunimin dhe ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve të shkollave dhe komunave të tjera.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.