Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në një takim virtual me donatorët dhe partnerët zhvillimor të MASHTI-t ku është diskutuar për projektet në arsimin profesional.
Fillimisht ministrja Nagavci ka falënderuar donatorët dhe partnerët zhvillimor për mbështetjen e ofruar për përmirësimin e cilësisë në arsim. Ajo tha se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe koordinimi i objektivave dhe qëllimeve të përbashkëta në mënyrë që bashkërisht të përmirësojmë situatën aktuale në arsim.
Ndër të tjera, ministrja bëri të ditur se edhe për Qeverinë por edhe për MASHTI-n një nga qëllimet strategjike është përmirësimi i arsimit dhe aftësimit profesional.
Ajo shtoi se është shumë e rëndësishme që të punohet ngushtë në këtë fushë, në mënyrë që të përmirësohen kompetencat e të rinjve të cilët janë të përfshirë në arsimin dhe aftësimin profesional si dhe të ketë ndërlidhje të shkollave profesionale me tregun e punës.
Ministrja ka përmendur po ashtu, rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës në shkolla si dhe kurrikulave e po ashtu edhe ofrimin e mundësisë për punë praktike për nxënësit.
Në fund, ministrja Nagavci kërkoi nga të gjithë donatorët që të vazhdojnë edhe më tutje përkrahjen e tyre në mënyrë që të përmbushen objektivat e përbashkëta sa i përket përmirësimit të gjendjes në arsimin profesional.
Last modified: 8 Qershor, 2022