MASHT

U SHËNUA 10 VJETORI I THEMELIMIT TË UNIVERSITETIT “FEHMI AGANI” NË GJAKOVË

6 Mars, 2023

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka shënuar 10 vjetorin e themelimit, ku në ceremoninë solemne të organizuar në përvjetorin jubilar, ky Universitet ka ndarë çmimin “Doctor Honoris Causa” për ish-komandantin Suprem të NATO-s për Evropë, gjeneralin Wesley Clark, në shenjë falënderimi për kontributin dhe ndihmën që ka dhënë gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna e cila mori pjesë në këtë ceremoni theksoi se, ndjehet e nderuar të jetë pjesë e ngjarjeve ku shënohen të arriturat e Universitetit nëpërmjet një rrugëtimi shpesh edhe sfidues, duke shtuar se rastet e tilla na kujtojnë rëndësinë e angazhimit të përbashkët në arritjen e qëllimeve të mëdha.

Maloku Bërdyna tha se, Qeveria e Kosovës ka prioritizuar reformën e arsimit të lartë, si një ndër pesë objektivat e Strategjisë së Arsimit për vitet në vijim.

Duke folur për rolin e Universitetit “Fehmi Agani”, Maloku Bërdyna ka thënë se, ky Universitet ka një potencial të madh si për nga historiku i vendit e kulturës, ashtu edhe për nga programet që ofron.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë gjatë javës që shkoi ka organizuar aktivitete të ndryshme kulturore e artistike, ndërsa në ceremoninë solemne e cila është mbajtur sot të pranishëm ishin personalitete politike, akademikë, profesorë, studentë e profesionistë të fushave të ndryshme.

Last modified: 6 Mars, 2023

Comments are closed.