MASHT

PËR NDER TË DITËS SË MËSUESIT, MINISTRIA E ARSIMIT NDANË ÇMIMIN “SHABAN JASHARI”

10 Mars, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar manifestimin e shënimit të 7 Marsit-Ditës së Mësuesit, me ç’rast çmimin tradicional për mësuesin e dalluar e ka marrë mësuesja Shkëndije Jashari nga ShFMU “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ndërsa mirënjohje kanë marrë edhe mësues të tjerë nga të gjitha komunat e Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, të cilët kanë ndarë çmimin “Shaban Jashari” kanë folur për kontributin e mësuesve shqiptarë nga Pandeli Sotiri e deri te mësuesit e ditëve të sotme, për të cilët thanë se është e pamundur t’i falënderojmë aq sa meritojnë.

Kryeministri Kurti, ndër të tjera tha se, shqiptarët sot kudo që ndodhen i nderojnë gjeneratat e mësuesve që kanë dhënë gjakun e tyre për të mbajtur ndezur dritat e arsimit shqip, ndërsa vlerësoi lartë kontributin e mësuesit dhe heroit kombëtar Shaban Jashari, emrin e të cilit e mbanë çmimi tradicional me të cilin nderohet puna dhe përkushtimi i mësimdhënësit të dalluar për përformancë pozitive dhe rezultate të mira.

Në emër të ministres Nagavci, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna uroi mësimdhënësit me rastin e 7 marsit teksa theksoi se, çmimi tradicional për mësimdhënësin e dalluar është i mbështjellë me petkun e një mësimdhënësi dhe njeriu të dalluar, siç ishte Shaban Jashari.

Mësimdhënësja, e cila pranoi çmimin, Shkëndije Jashari tha se, çmimi i fituar për atë është detyrë, privilegj dhe përgjegjësi në edukimin e brezave të rinjë të cilët janë e ardhmja e vendit.

Last modified: 10 Mars, 2023

Comments are closed.