MASHT

LANSOHET SHKOLLA E DOKTORATURËS NË LËMIN E TIK

3 Mars, 2023

Është lansuar Shkolla e doktoraturës në lëmin e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informimit, në kuadër të programit PhDICTKES i bashkëfinancuar nga Erasmus Plus, ku të pranishëm ishin personalitete politike, akademikë, ambasadorë, rektorë, profesorë, studentë e përfaqësues të universiteteve të ndryshme.

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna me këtë rast ka thënë se, me programin PhDICTKES jo vetëm që plotësoni një boshllëk ekzistues për programe doktorale të këtij lloji në sistemin arsimor në Kosovë, por në të njëjtën kohë forconi edhe kërkimin shkencor e inovacionin në fusha prioritare e të rëndësishme për tregun e punës dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.

Ajo theksoi se, me qëllim të përshtatjes me trendin global për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror e ekonomik, Ministria e Arsimit është duke i kushtuar rëndësi të veçantë përdorimit të teknologjisë digjitale, ku vetëm për vitin 2023 janë ndarë 6,5 milion euro.

Zëvendësministrja Maloku Bërdyna foli edhe për Programin Kombëtar të Shkencës 2023-2028 që shpejt pritet të miratohet në Qeveri, pjesëmarrjen e Kosovës në programin më të madh të shkencës “Horizon Europe”, pilotimin e platformës KRIS (Kosova Research and Information System) dhe përkrahjen financiare të studentëve për fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhineri e matematikë) dhe Konferencën e Parë Vjetore ‘STEMinists’ që pritet të organizohet në muajin prill.

Last modified: 3 Mars, 2023

Comments are closed.