Si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar në mes të MAShTI dhe organizatës Solidar Swiss në mars të këtij viti, si dhe në bashkëpunim me Komunën e Istogut, është inauguruar Qendra e Karrierës në IAAP “Mithat Frashëri” në Gurrakoc të Istogut.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë këshilltarja për arsim profesional në MAShTI, Majlinda Rizvanolli, përfaqësues nga komuna e Istogut, përfaqësues të projektit EYE, organizatës Solidar Swiss, ITED, drejtoresha e shkollës, mësimdhënës, nxënës e përfaqësues të bizneseve.
Deri më tani janë themeluar 16 qendra të karrierës me bazë në shkolla profesionale dhe bazuar në marrëveshjet e nënshkruara me donatorë pritet të themelohen dhe 12 qendra të tjera të karrierës. Qendrat e karrierës do t’i këshillojnë nxënësit, të lehtësojne tranzicionin e nxënësve nga shkolla në tregun e punës, si dhe gradualisht do të kontribuojnë në adresimin e mospërputhjes së aftësive me tregun e punës.
MAShTI është i përkushtuar që t’i fuqizojë dhe institucionalizojë shërbimet e orientimit dhe këshillimit në karrierë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Këtë vit, MAShTI ka punuar drejt standardizimit të shërbimeve të tilla, zhvillimit të bazës ligjore, si dhe ka akredituar programin kualifikues për këshilltarë të karrierës. Ndërkaq, për vitin e ardhshëm ka paraparë buxhet për punësimin e 59 këshilltarëve të karrierës.
Last modified: 4 Nëntor, 2022