MASHT

KOMISIONI PËR MBIKËQYRJEN E FINANCAVE PUBLIKE SHQYRTOI DY RAPORTE TË AUDITIMIT PËR MASHTI-N

1 Nëntor, 2022

Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar sot dy Raporte të Auditimit: Raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të MAShTI-t për vitin 2021 dhe Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Në këtë takim, ka marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila elaboroi të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit bashkë me rekomandimet, si dhe komentet nga ana e MAShTI.

Duke folur për Raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare për vitin 2021, ministrja Nagavci përmendi faktin se tashmë është hartuar Plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të përmbushen këto rekomandime me përpikëri.

Ministrja Nagavci theksoi se, në vitin 2021 janë përgjysëmaur rekomandimet krahasuar me vitin paraprak, ndërsa bëri të ditur se MAShTI ka zbatuar 15 rekomandime të vitit 2020. Ndër të tjera, Nagavci bëri të ditur se pjesa më e madhe e gjetjeve të auditorit nuk varen drejtëpërsëdrejti nga MAShTI, por edhe nga institucionet e linjës.

Ndërsa, sa i përket Raportit të auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, ministrja ndër të tjera foli edhe për trajnimet e mësimdhënësve lidhur me kurrikulën dhe trajnime të tjera, në mënyrë që të avancohen metodat e mësimdhënies.

Ajo tha se MAShTI, në bashkëpunim me organizatat vendore dhe ndërkombëtare në vazhdimësi ofron trajnime në mbështetje të zbatimit të kurrikulës me metodologji më të avancuara duke marrë për bazë praktikat më të mira nga vendet në rajon dhe më gjerë.

Ndër të tjera, Nagavci bëri të ditur se, pas analizimit të raportit, por edhe të vetëdijshëm për nevojën e investimit shumë dimensional në përmirësim të rezultateve dhe të cilësisë në arsim, MAShTI është duke punuar me intensitet të shtuar e angazhim maksimal, është rritur buxheti për arsim, jemi duke përmirësuar infrastrukturën ligjore e fizike dhe së fundi është miratuar edhe Strategjia për arsim 2022-2026.

Last modified: 1 Nëntor, 2022

Comments are closed.