MASHT

MASHTI ME AKTIVITETE SENSIBILIZUESE PËR MIRËQENIEN DHE MBROJTJEN E FËMIJËVE

28 Tetor, 2022

Tani kur gjithandej Republikës së Kosovës po mbahen takime informuese për Ligjin për mbrojtjen e fëmijës, MAShTI, respektivisht Forumi Nacional për Shkollat Miqësore “Rritemi bashkë”, ka zhvilluar posterët/infografet për parandalim, identifikim trajtim dhe raportim të dhunës në shkolla.

Ky hap shënon edhe fillimin e fushatës sensibilizuese për mobilizimin e të gjitha subjekteve brenda dhe jashtë institucioneve edukative e arsimore për punë efikase e cilësore në favor të rritjes e mirëqenies dhe mbrojtjes së fëmijëve në kontekst edukativ e arsimor dhe më gjerë.

Këta posterë, rikthejnë vëmendjen dhe përkushtimin në zbatim të Rregullores qeveritare 21/2013 për Protokollin për Parandalim dhe Referim të Dhunës në Arsimin Parauniversitar dhe tregojnë hierarkinë e veprimeve ndërinstitucionale për trajtimin e temës së dhunës nëpërmjet të arsimit cilësor, si dhe për hapat e identifikimit të hershëm, trajtimit dhe raportimit sipas legjislacionit në fuqi.

Si të tillë, posterët janë informues për subjektet që ofrojnë dhe marrin shërbime edukative dhe arsimore në institucionet e arsimit parauniversitar, përfshirë komunitetin e prindërve dhe grupeve tjera të interesit.

Gjithashtu, sugjerohen të përdoren nga stafi arsimor dhe mbështetës edhe në aktivitete mësimore dhe jashtëmësimore.

Krahas shpërndarjes së kopjeve fizike, zyrtarët e MAShTI do të jenë të pranishëm në terren edhe me sesione rajonale dhe shkollore, ku do të diskutohet mbi preokupimet e nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe udhëheqësve të institucioneve tona, me qëllim të adresimit dhe orientimit të veprimeve tona në vazhdimësi.

Parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e fëmijëve brenda rolit të institucioneve edukative e arsimore, është parakusht për mirëqenien e fëmijëve dhe motivon zhvillimin e tyre brenda potencialit fizrerrik, intelektual, social e emocional.

Mirëqenia është e drejtë themelore e fëmijëve. Institucionet e kanë obligim të sigurohen në respektimin e të gjitha të drejtave të garantuara të fëmijëve.

Last modified: 28 Tetor, 2022

Comments are closed.