MASHT

MAShTI prezantoi Strategjinë për Arsim 2022-2026

27 Tetor, 2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka prezantuar Strategjinë për Arsim 2022-2026, dokument i cili do të shërbejë për zhvillimin e sektorit të arsimit për periudhën e ardhshme pesëvjeçare dhe ka pesë objektiva strategjike që adresojnë problemet kyçe të fushave prioritare të këtij sektori.

Edukimi në fëmijërinë e hershme, ngritja e cilësisë së arsimit parauniversitar, harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimin e teknologjisë dhe tregun e punës, cilësia, integriteti dhe konkurrueshmëria në arsimin e lartë, si dhe përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve në arsim, janë pikat kryesore të Strategjisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me këtë rast tha se, jemi në angazhim të përbashkët për jetësimin e objektivave të kësaj Strategjie që fëmijëve tanë të ju mundësojmë arsimim cilësor. Në këtë drejtim, kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet sektorin e arsimit, si burim kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se kjo Strategji është dokumenti bazë për zhvillimin e arsimit në pesë vitet e ardhshme, ndërsa lansimi i saj është meritë dhe sukses i të gjithë atyre që kanë kontribuar në finalizmin e saj.

Ministrja Nagavci theksoi se, dokumenti është plotësisht i harmonizuar me programin qeveritar për arsim, bazuar në një analizë të hollësishme të gjendjes në këtë fushë.

Duke përmendur pesë shtyllat e Strategjisë, Nagavci tha se, gjithëpërfshirja është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e secilit individ dhe për këtë është duke u punuar në përmirësimin e infrastrukturës ligjore. Ajo gjithashtu bëri të ditur se për vitin e ardhshëm do të ketë rritje të buxhetit për arsim, me qëllim të investimit në infrastrukturë fizike.

Ministrja Nagavci falënderoi Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, e cila përmes GIZ Kosova ka mbështetur hartimin e Strategjisë së Arsimit 2022-26, duke kontribuar me ekpertizë profesionale dhe mbështetje teknike gjatë gjithë procesit hartues, si dhe Ministrinë Britanike për Punë të Jashtme dhe Zhvillim dhe organizatën DVV International për mbështetjen profesionale të ofruar përmes konsulencës vendore në procesin e planifikimit.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, dhe Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott theksuan rëndësinë e Strategjisë për Arsim 2022-2026 dhe u shprehën të kënaqur që vendet e tyre kanë kontribuar në këtë proces.

Strategjia e Arsimit 2022-2026 është hartuar në bashkëpunim më partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë dhe bazohet në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025, si dhe në analizën e gjendjes të fushave prioritare të sektorit të arsimit.

Last modified: 27 Tetor, 2022