MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË 55 VJETORIN E THEMELIMIT TË INSTITUTIT TË HISTORISË

7 Nëntor, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në akademinë solemne me rastin e shënimit të 55 vjetorit të themelimit të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, me ç’rast vlerësoi lartë punën kërkimore dhe shkencore të këtij institucioni, rrugëtimi fillestar i të cilit ishte paraparë për studime të periudhave specifike historike, duke u shndërruar më vonë në një Institut me fushëveprim të gjerë historik dhe shkencor.

Ministrja Nagavci tha se, Instituti i Historisë përgjatë viteve ka krijuar e formësuar studiues e historianë të rinj, të cilët kanë arritur të ecin në një hap me kolegët e tyre bashkëkohorë, duke e pozicionuar Institutin në sferën ndërkombëtare të institucioneve shkencore.

Duke shprehur mbështetje institucionale për punën e Institutit, Nagavci theksoi rëndësinë e shtimit të departamenteve të studimeve të këtij institucioni, duke qenë se Kosova ka shumë studiues e historianë me përgatitje adekuate, të cilët do të ishin të aftë të kontribuonin në studimet historike me tema specifike si çështja e luftës, shtet-ndërtimit e dhunës gjenocidale.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala Peli foli për historikun e punës së këtij Institucioni në vitin 1967, fillimisht si Ent i Historisë. Ajo vlerësoi se, themelimi i këtij institucioni ishte një ndër ngjarjet më madhore të shkencës në shekullin 20.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme kërkimore dhe shkencore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët folën për rëndësinë e Institutit të Historisë, veprimtarinë kërkimore dhe shkencore dhe synimet për shtimin e bashkëpunimit ndërinstitucional kombëtar dhe ndërkombëtar.

Last modified: 7 Nëntor, 2022

Comments are closed.