MASHT

LANSOHET INSTITUTI/KLLASTERI UPCO, MODEL I SPIRALES SË TREFISHTË “TRIPLE HELIX” NË KOSOVË

14 Nëntor, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të institutit/kllasteri UPCO, i cili do të shërbejë për promovimin e teknologjive të reja, inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe ofrimin e shërbimeve për ekonominë dhe arsimin në Kosovë.

Me këtë rast, ministrja Nagavci tha se modeli i Kosovës i “Spirales së Trefishtë” – UPCO, i themeluar nga Universiteti i Prishtinës, Komuna e Prishtinës dhe Oda Ekonomike e Kosovës, si bashkim i forcave të tre bashkëthemeluesve, është inovacion në vete.

Kjo, tha ministrja, krijon përparësi të jashtëzakonshme për të trija institucionet veç e veç, si dhe gjeneron vlerë të shtuar përmes projekteve të përbashkëta zhvillimore, duke mbledhur trashëgiminë institucionale e intelektuale të trijave në një vend.

Ministrja Nagavci theksoi se, nga këndvështrimi i zhvillimit të ekonomisë reale të Kosovës, vendi ka nevojë urgjente për inovacion dhe ndërmarrësi për të ndryshuar strukturën tradicionale ekonomike, prandaj mekanizmi i inovacionit kooperativ “universitet-qeveri-industri” është hap i rëndësishëm drejt një ekonomie të bazuar në dije.

Ministrja falënderoi Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim për mbështetje të vazhdueshme në fushën e edukimit, e edhe në ketë proces, si dhe projektin ALLED2 për mbështetje në funksionalizimin e UPCO.

Për rëndësinë e UPCO, ndër të tjerë, folën edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Johannes Madsen, përfaqësuesja e Zyrës së Agjencisë Austriake për Zhvillim, Sandra Horina, si dhe përfaqësuesja e ALLED2, Efka Heder.

Last modified: 14 Nëntor, 2022