MASHT

U mbajt Ceremonia e betimit të 10 vullnetarëve të rinj të Korpusit të Paqes

29 Prill, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në Ceremoninë e betimit të 10 vullnetarëve të rinj, të grupit të 9-të të vullnetarëve amerikanë të Korpusit të Paqes.

Ministrja Arbërie Nagavci, me këtë rast ka shprehur mirënjohjen e saj për misionin e vullnetarëve të Korpusit të Paqes, duke theksuar se SHBA mbetet miku më i mirë dhe partneri më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, ndërsa ka falënderuar shkollat dhe familjet nikoqire, të cilat kanë hapur dyert dhe kanë pranuar që të jetojnë dhe bashkëpunojnë me vullnetarët amerikanë.

Ministrja Nagavci ka bërë të ditur se, në Ministrinë e Arsimit çmohet lart puna e palodhshme e vullnetarëve dhe stafit të Korpusit të Paqes, në bashkëpunim me drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe nxënësit tanë, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe nxënies në vendin tonë, me fokus tek përgatitja e nxënësve për jetë si individë mendjehapur, krah për krah me moshatarët e tyre në botë.

Ndër të tjera, ministrja ka thënë se, roli i vullnetarëve dhe i programit të Korpusit të Paqes është në linjë të drejtpërdrejtë me politikat arsimore, meqenëse ofron mbështetje për mësuesit tanë gjatë mësimit në klasë, duke shtuar njëkohësisht edhe ndarjen e praktikave më të mira nga sistemi arsimor amerikan.

Nagavci po ashtu ka theksuar se, përveç mbështetjes në përmirësimin e mësimdhënies së gjuhës angleze në Kosovë, Programi i Korpusit të Paqes jep një kontribut të rëndësishëm edhe në aspektin e shkëmbimeve kulturore – duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin dhe përmirësimin e perspektivave dhe mënyrave se si shohim botën rreth nesh.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, falënderoi vullnetarët amerikanë për gatishmërinë e tyre për të shërbyer në Kosovë, duke shtuar se është krenarë me ata dhe mirënjohës për sakrificën e tyre.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Carolyne Siganda, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, përfaqësues të USAID-it në Kosovë, drejtorë dhe mësimdhënës të shkollave.

Deri më sot, Kosova ka mirëpritur mbi 200 vullnetarë të Korpusit të Paqes. Kontributi i tyre shtrihet në dhjetëra vende të botës, mes tyre edhe në Kosovë, ku nga viti në vit ai ka përfshirë edhe fushën e arsimit.

Last modified: 29 Prill, 2024

Comments are closed.