Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nën përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit organizoi konferencën STEMinists’24, e cila këtë vit mbahet për herë të dytë dhe ka për qëllim rrjetëzimin e vajzave dhe grave, për të shpalosur arritjet dhe kontributin e tyre në fushën STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë).
Qëllimi i kësaj Konference është të promovojë pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM), duke zvogëluar ndarjen gjinore dhe duke kontribuar në zhvillimin e shoqërisë në mënyra të shumta, po ashtu të ndihmojë në formësimin e një të ardhmeje më të barabartë dhe të përfshirë për të gjithë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili pjesëmarrësve të Konferencës i ‘u drejtua përmes një videomesazhi tha se, janë të shumta gratë dhe vajzat të pasionuara pas shkencës, e janë të paktë ata të cilët i njohin arritjet e tyre.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se, këtë vit janë ndarë 4630 bursa për studente, ndërsa shtoi se, politika për mbështetjen e vajzave dhe grave në STEM është politikë e re në arsim.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cilësoi Konferencën ngjarje të rëndësisë së veçantë, e cila synon të jetë tradicionale, pasi vajzat dhe gratë me punën e tyre të pandalshme kanë shënuar suksese në fusha komplekse, të rëndësishme për jetën, shoqërinë dhe ekonominë e vendit, suksese të cilat po shënohen sot duke ofruar mundësi për diskutim rreth tyre.
Nagavci tha se ky është viti i dytë radhazi që po organizohet kjo konferencë, e cila promovon në mënyrë dinjitoze avancimin profesional të grave dhe vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se, Qeveria e Kosovës jo vetëm se mbanë premtimet e veta për krijimin e mundësive për përfshirjen e vajzave dhe grave në të gjitha fushat e jetës, por ka edhe politika afirmative në ofrimin e mundësive për gratë dhe vajzat.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se, përkrahja për vajzat dhe gratë në STEM nuk përmban thjeshtë fjalë të bukura, por si Qeveri, përfshirja e tyre në këto fusha e shihet si realizim i të drejtave të tyre dhe kontribut për zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë.
Për rëndësinë e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në STEM, folën edhe rektori i Universitetit të Prishtinës Qerim Qerimi dhe koordinatori për zhvillim në UNDP, Arnhild Spence, të cilët thanë se pjesëmarrja e tyre në këto sfera të jetës ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Last modified: 26 Prill, 2024