MASHT

Seminar​i Mbarëkombë​tarë

2 Gusht, 2011

Seminari Mbarëkombëtar me Mësueset dhe Mësuesit e Shkollave Shqipe të Mësimit Plotësues në Diasporë, ka filluar sot punimet në Prishtinë. Në këtë Seminar treditor, i cili organizohet nga Ministritë e Arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë, po marrin pjesë mbi 100 mësues dhe mësuese nga diaspora.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me këtë rast, i përshëndeti punimet e Seminarit dhe theksoi rëndësinë e veqantë që ka ky seminar. Ai përmendi faktin se diaspora e Republikës së Kosovës, përfshinë së paku një të katërtën e qytetarëve të saj, një pjesë e madhe e të cilëve janë fëmijë dhe të rinj të moshës së arsimit të detyrueshëm, pjesa më e madhe të rinjve kanë lindur jashtë Kosovës.

Ministri Buja theksoi peshën e madhe që ka diaspora për ne, ndërsa tha se këtë duam t’ua shëprblejmë duke u përkujdesur për pasardhësit tanë, që ta ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare.

“Tashmë janë 3 ministri (Ministria e Arsimit, e Diasporës dhe e Punëve të Jashtme që përkujdesen për ju. Do të angazhohemi me gjithë mundësitë tona, që këta të rinjë dhe fëmijë të mos i harrojnë gjuhën, traditën dhe kulturën tonë”, tha ministri.

Së këndejmi, ministri Buja theksoi shumë të arritura në drejtim të përmirësimit të gjendjes së mësimit shqip në diasporë, por ai tha se mësimi plotësues në gjuhën shqipe në diasporë duhet të institucionalizohet. “Ka përpjekje insistuese që shkolla shqipe e mësimit plotësues në diasporë të institucionalizohet, meqë tani jemi shtet i pavarur. Kemi filluar me Zvicrrën ku ka disponim të mirë për një gjë të tillë dhe do të vazhdojmë me vende tjera”, tha ministri Buja.

“Mësimi i gjuhës shqipe është i rëndësisë së dorës së parë. Ata që e dinë mirë gjuhën amë, patjetër dhe me lehtësi do ta mësojnë gjuhën e mjedisit ku jetojnë e veprojnë. Njëkohëshit do ta kenë më të lehtë integrimin e tyre kur të kthehen”.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli theksoi se një nga objektivat kryesore është arsimimi i mërgatës në gjuhën shqipe, ndërsa tha se ky seminar është një kontribues i madh në shkëmbimin e përvojave dhe përgatitjen sa më të mirë të mësuesve që punojnë me fëmijët në diasporë.

Pasi që theksoi se “ky është një mision sublim për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar”, shprehu gatishmëri për krijimin e kushteve më të mira për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa theksoi se seminari është shumë i rëndësishëm për Prishtinën pasi që kemi të bëjmë me kultivimin e të gjitha vijave kombëtare te të rinjtë tanë që jetojnë jashtë atdheut.

Të pranishmit, i përshëndeti edhe mësuesja nga Zvicrra, Nexhmije Mehmetaj, e cila falenderoi institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë për angazhimin e tyre permanent në ndihmë zhvillimit të mësimit shqip në diasporë. “Organizimi i këtij Seminari do të thotë dëshirë për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën te të rinjtë tanë në diasporë”, tha ajo.

Ndërsa, ministritë e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë ndanë mirënjohje për katër mësues tashmë të pensionuar jashtë atdheut.

Ky Seminar tradicional, i shtati me radhë, është lëvizës dhe organizohet nëpër të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët. Këtë vit, Seminari i zhvillon punimet në Prishtinë nga data 2 deri më 5 gusht, kohë gjatë së cilës do të shkëmbehen përvoja dhe do të diskutohet për mënyrën se si mund të bashkërendohen veprimet në të mirë të zhvillimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.