MASHT

Ministri Buja priti në takim përfaqësues të diasporës

26 Korrik, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe zëvendësministri, Nehat Mustafa kanë pritur sot në takim drejtues të Unionit Kombëtarë për Diasporën të prirë nga presidenti i unionit, Can Tahiri dhe sekretari i përgjithshëm, Sheremet Pantina.

Ministri i Buja dhe presidenti i Unionit Kombëtarë për Diasporën kanë diskutuar mundësinë e gjetjes së një mënyre ligjore për përfaqësimin institucional të veprimtarëve të mërgatës, veprimtari kjo e cila parashihet sipas një akt memorandumi parazgjedhor të nënshkruar në mes të këtij unioni dhe shumicës së partive parlamentare në fund të vitit të kaluar.

Ministri i Arsimit në Republikën e Kosovës nga ana e tij ka vlerësuar se krijimi i Ministrisë së Diasporës ka rezultuar me një avancim politik dhe organizativ, për faktin që tashmë shumëçka nga koordinimet dhe organizimet e punëve me mërgatën, ka kaluar në kompetencë të kësaj ministrie.

Ministri Buja është zotuar për jetësimin e secilës marrëveshje të nënshkruar, në rast se rrugët e implementimit të saj janë konform ligjit.”Unë nuk jam nënshkrues i marrëveshjes , por nëse një akt marrëveshje është nënshkruar, është obligim legal dhe moral implementimi i saj. Unë, absolutisht kam qenë dhe do të mbetem parapa asaj që të gjitha veprimet të koordinohen dhe institucioni më profitabil i secilit institucion në botë është marrëveshja për të realizuar diçka”, është shprehur ai.

Presidenti i Unionit Kombëtarë për Diasporën, Can Tahiri ka thënë se kërkesa për përfaqësimin institucional të veprimtarëve të mërgatës parasheh kontributin e diasporës përmes këshilltarëve të jashtëm nëpër ministri.

“Kërkesat tona janë bërë në nivel unioni, duke pasur parasysh që ekzistojnë 165 forume në nivel kombëtarë. Ne nuk përfaqësojmë gjithë diasporën, sepse diaspora është e madhe, por në koordinim me të tjerët kemi rënë dakord të artikulojmë kërkesat tona, të cilat përfshijnë përfaqësimin tonë në formë këshilltarësh të jashtëm. Pra, çdo ministri të ketë ndonjë këshilltarë të jashtëm të ministrit për koordinimin e punëve me mërgatën”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka lavdëruar ecurinë e punëve sa i përket evidentimit të problemeve në arsim, duke thënë se si asnjë herë tjetër këtë vit, në bashkëpunim të ngushtë me konsulatat dhe ambasadat, janë krijuar shkolla edhe aty ku nuk ka pasur.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.