MASHT

Ministria e Arsimit kërkon nga DKA-të përshpejtimin e përgatitjeve për vitin e ri shkollorë

3 Gusht, 2011

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në takimin e rregullt me drejtorët komunalë të arsimit ka shtruar shumë çështje në lidhje me finalizimin e përfundimit të vitit shkollor 2010/2011dhe përgatitjeve që po bëhen për fillimin e vitit të ri shkollor.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, z.Ramë Buja, ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë personat kompetentë, në mënyrë që të kemi një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor.

Gjatë këtij takimi, ministri ka kërkuar realizimin e granteve shkollore, si dhe është biseduar edhe për mbishkrimet në shkollat fillore dhe të mesme, çështje për të cilën ministri Buja ka kërkuar që sapo të hartohet Udhëzimi Administrativ për mbishkrimet e unifikuara në hyrje të shkollave kjo të realizohet me kohë.

Ministri Buja kërkoi nga drejtorët komunalë të arsimit që të bëjnë përgatitjet, të cilat atyre u takojnë, në mënyrë që afati i dytë i maturës të kryhet me sukses.

Gjatë kësaj mbledhje u përmend edhe çështja e të riatdhesuarve, me ç’rast u tha se është më se e nevojshme të mblidhen të dhënat e sakta për nxënësit e riatdhesuar, në mënyrë që të gjenden mundësitë sa më të shpejta për kyçjen e tyre në sistemin arsimor të Kosovës.

Ministri Buja shtroi edhe çështjen e rregullimit të ambientit dhe tha se kjo çështje do të rregullohet përmes një rregulloreje, që rregullimi i ambientit të bëhet aksion vjetor ku do të shpërblehen më të mirët.

Ndër të tjera, në takim është diskutuar edhe çështja e shtimit të përgjegjësisë për komunikimin e ndërsjellë DKA- MASHT, domosdoshmëria e zbatimit të ligjit rreth punësimit të kuadrove arsimore dhe zgjedhjes së drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme, si dhe dorëzimi i të dhënave të sakta nga DKA-të për secilën shkollë sa i përket mbarëvajtjes së procesit të furnizimit me tekste të reja shkollore.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.