MASHT

Ofertuesit e programeve për trajnimin e mësimdhënësve prezantuan aktivitetet e tyre para drejtuesve të MASHT-it

13 Korrik, 2011

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duke qenë e vetëdijshme për rolin që ka arsimi në zhvillimin e vendit, ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar cilësinë e tij, përfshirë hartimin e strategjive dhe politikave të reja arsimore, reformën e Kurrikulit, botimin e teksteve të reja mësimore dhe organizmin e trajnimeve për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

Zhvillimi profesional i mësimdhënësve konsiderohet të jetë i rëndësishëm pasi mësimdhënësit janë ata të cilët sjellin ndryshime pozitive në klasë dhe bëjnë që këto ndryshime të ndikojnë te nxënësit. Në kuadër të kësaj, drejtues të MASHT-it të martën kanë mbajtur takim me ofertuesit e programeve për trajnimin e mësimdhënësve. 

Takimi kishte për qëllim prezantimin e programeve për trajnimin e mësimdhënësve për vitin 2011 nga ana e ofertuesve, fazën e implementimit të tyre për periudhën e ardhshme, prezantimin e përmbajtjes së programit për të dhënat e licencimit të mësimdhënësve dhe akreditimin e programeve të trajnim të mësimdhënësve, si dhe vazhdimin e akreditimit të programeve trajnuese në të ardhmen. 

Zëvendësministri i Arsimit, Usmen Baldzi me këtë rast ka thënë se MASHT-i e ka vënë si prioritet zhvillimin profesional të mësimdhënësve për dy arsye, për të siguruar metodologjinë e mësimdhënies në shkollat e Kosovës si pjesë e punës së përditshme, si dhe për të përkrahur mësimdhënësit në zbatimin e Kurrikulit të Ri. 

Sipas zëvendësministrit Baldzi, ndërtimi i një sistemi të licencimit të mësimdhënësve është përcaktuar si metoda më e mirë për të realizuar këto procese. Zëvendësministri Baldzi ka thënë se procesi i ndërtimit të sistemit të licencimit të mësimdhënësve ka filluar me themelimin e Këshillit shtetëror për licencimin e mësimdhënësve në janar të vitit 2009. Për më tepër, Baldzi ka potencuar se ky këshill ka përgatitur dy udhëzime administrative për akreditimin ofertuesve të programeve të trajnimit në shërbim të programeve të tyre, si dhe udhëzimin administrativ për licencimin e mësimdhënësve. 

Sekretari i përhershëm, Xhavit Dakaj ka thënë se Ministria e Arsimit bashkëpunon me donatorë dhe organizata të ndryshme të cilat ndihmojnë fushën e arsimit në Kosovë, ndërkaq ka shtuar se të ndihmosh sistemin e arsimit do të thotë të ndihmosh një shoqëri në tërësi.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.