MASHT

Ministri Buja priti në takim ambasadorin e Republikës së Çekisë

19 Korrik, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Çekisë në Kosovë, Jiri Dolezel, me ç’ rast theks i veçantë i është kushtuar bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e arsimit.

Ministri Buja ka potencuar se takimi me ambasadorin çekë ishte jo vetëm njohës, por edhe insistues për të shtuar mundësinë e kontakteve në mes të universiteteve të Kosovës dhe atyre të Çekisë. “Mua më erdhi mirë kur ambasadori më dha një lajm të gëzuar duke më sjellë kontaktet me pesë universitete të Çekisë, katër publike dhe një privat për të krijuar mundësinë e kontakteve me universitetet tona për të bartur përvojën e mirë tek ne. Natyrisht se biseduam edhe për bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për të investuar edhe në nivelet tjera arsimore”, është shprehur ministri Buja.

Ministri Buja dhe ambasadori Dolezel janë pajtuar se bashkëpunimi në lëmin e arsimit do të luaj një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Jiri Dolezel nga ana e tij theksoi se, përpos bashkëpunimit gjithashtu është biseduar edhe për propozimet konkrete në fushën e arsimit në mes të universiteteve të Kosovës dhe atyre të Çekisë.

Ambasadori Dolezel shprehu bindjen e tij se fusha e arsimit meriton mbështetje të plotë nga shtetet përkatëse, ndërkaq shtoi se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë në mes të intelektualëve dhe universiteteve është më se i rëndësishëm për të dy shtetet.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.