MASHT

Ministri Buja vlerësoi lartë kontributin e ish- presidentit kroat, Stjepan Mesiq për Kosovën

20 Korrik, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka shprehur falënderimin e tij të thellë për kontributin e ish- presidentit kroat, Stjepan Mesiq dhe gjithë popullit të Kroacisë në rrugën e Kosovës drejt shtet-formimit.

Ministri Buja këto vlerësime i ka bërë me rastin e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për presidentin e fundit të Jugosllavisë, Stjepan Mesiq, me vendimin e Senatit të Universitetit AAB- Riinves, në mbledhjen e mbajtur më 7 korrik 2011.

Ministri i Arsimit në Republikën e Kosovës kërkoi nga zotëri Mesiq që të vazhdoj të ndihmoj Kosovën edhe në të ardhmen, ashtu sikurse është angazhuar deri në këtë fazë të ndërtimit të shtetit.

“Jam i privilegjuar dhe i nderuar që sot më jepet rasti të them pak fjalë me ndjenjën më fisnike për të uruar nga zemra mikun tim të madh personal dhe mikun e popullit tim, mikun e Kosovës dhe gjithë shqiptarisë, zotërinë Stjepan Mesiq. Ai ishte kryetari i fundit i Jugosllavisë që nuk është më. Ajo që bëri ky njeri i madh na bëri që ne sot të gëzojmë këtë pozicion që kemi, ka investuar në këtë gjë, sikurse do të investoj edhe më tutje”, është shprehur ministri Buja.

Ish- presidenti kroat, Stjepan Mesiq shprehu falënderimin e tij, jo vetëm për titullin e nderit, por edhe për kontributin, siç tha ai, të shqiptarëve në pavarësimin e Kroacisë, ndërkaq shtoi se ndjehet mjaft i mirë që gjendet sot në mesin e miqve dhe foli për përvojat e tij prej politikani në ndërtimin e shoqërisë demokratike.

Rektori i Universitetit AAB- Riinves, Lulzim Tafa citoi fjalët e zotërit Mesiq drejtuar opinionit të gjerë gjatë mandatit të tij si president i Jugosllavisë, ku kishte thënë “Detyrën e mbarova, Jugosllavi më nuk ka. Koha po punon për Kosovën, koha po punon për shqiptarët”, theksoi Tafa.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.