MASHT

NJË PJESË E MADHE E SHKOLLAVE PO PUNOJNË ME PRANI FIZIKE DHE ORË TË PLOTË MËSIMORE

1 Tetor, 2021

01 Tetor 2021

Në pjesën më të madhe të shkollave në Kosovë, sipas raporteve të komunave, është duke u zhvilluar mësimi sipas skenarit Rikthimi, pra me prani fizike dhe me orë të plota mësimore. Ndërsa, në shkollat ku ka numër më të madh të nxënësve, mësimi po zhvillohet sipas skenarit A (me prani fizike, por në klasa të ndara në grupe me jo më shumë se 20 nxënës) dhe një numër i vogël i shkollave po punojnë me skenarin B (mësim i kombinuar).

Kështu ka bërë të ditur zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna në konferencën e rregullt për medie, ku ka theksuar faktin se për zbatimin e skenarëve, varësisht nga situata epidemiologjike, do të kujdeset task forca në nivel të institucionit në bashkëpunim me task forcën në nivel të Drejtorisë Komunale për Arsim.

Zv/ministrja iu bëri thirrje nxënësve, mësimdhënësve dhe personelit tjetër shkollor, si dhe prindërve që të bashkëpunojnë dhe të zbatojnë të gjitha masat e rekomanduara nga ekspertët shëndetësor për mbrojtje nga COVID-19, në mënyrë që shkollat të mbeten të hapura përgjatë gjithë vitit shkollor.

Duke folur për shpërndarjen e teksteve shkollore, të cilat edhe këtë vit ofrohen falas për klasat 1-9, zv/ministrja Bërdyna Maloku, ndër të tjera theksoi se sipas të dhënave të Komisionit për shpërndarjen e teksteve, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ka përfunduar shpërndarja e teksteve, kurse furnizimi me to është bërë në harmoni me kërkesat të cilat i kanë dërguar DKA-të. Ndërsa, ajo përmendi edhe faktin se këtë vit janë lejuar edhe tekstet alternative.

Bazuar në të dhënat e dorëzuara nga komunat, Zëvendësministrja tha se mbi 90 përqind e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar. Më shumë se 65 përqind prej tyre me të dy dozat.

Zv/ministrja e Arsimit përmendi po ashtu edhe faktin se këtë javë UNICEF në koordinim me MAShTI ka ndarë rreth 100 pako higjienike në 21 shkolla të 7 rajoneve të Kosovës të cilat janë financuar nga UNICEF.

Ndërkaq, zv/ministrja Maloku Bërdyna ka folur edhe për zgjatjen e afatit të aplikimit të Thirrjes për mbështetje financiare (1 mijë bursa) për studentet vajza/gra në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (apo STEM) të arsimit të lartë në Kosovë. Afati i aplikimit do të vazhdojë deri më 20 tetor 2021 dhe për këto bursa është vënë në dispozicion shuma prej 1 milion euro.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.