MASHT

NËNSHKRUHET MEMORANDUM MIRËKUPTIMI MES MASHTI DHE FORUMIT KOSOVAR TË AFTËSISË SË KUFIZUAR

27 Mars, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe u.d i drejtorit ekzekutiv të Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, kanë nënshkruar sot Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit.

Ky Memorandum ka për qëllim të lehtësojë bashkëpunimin për nxënësit me aftësi të kufizuar, të cilët mësojnë në Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Prizren.

Më këtë rast, ministrja Nagavci theksoi se fëmijët me nevoja të veçanta dhe ofrimi i mundësive të barabarta në arsim për ta, janë prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe MASHTI-t.

Ministrja Nagavci përmendi një varg masash të cilat janë ndërmarrë për rritjen e pjesëmarrjes dhe përmirësimin e cilësisë në arsim për fëmijët me nevoja të veçanta, duke përfshirë këtu punësimin e asistentëve për këta fëmijë, ku përmendi se këtë vit është planifikuar punësimi i 300 asistentëve.

Ministrja Nagavci, po ashtu, falënderoi Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar për punën në këtë drejtim, ndërsa theksoi nevojën e bashkëpunimit të shtuar në mes të gjithë akterëve, në mënyrë që të krijohen kushte më të mira në çdo segment të jetës, por edhe në arsim, për fëmijët me nevoja të veçanta.

U.d i drejtorit të Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, falënderoi ministren Nagavci për përkushtimin që ka treguar për krijimin e mundësive të barabarta në arsim për fëmijët me nevoja të veçanta dhe theksoi se me punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta u është hequr një barrë e madhe familjeve.

Last modified: 27 Mars, 2023

Comments are closed.