MASHT

ËSHTË PËRURUAR QENDRA E KARRIERËS NË PODUJEVË

25 Mars, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në përurimin e Qendrës së Karrierës me bazë në shkollën profesionale “Fan S. Noli” në Podujevë.

Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, misioni i Qendrës së Karrierës është që të mbështesë dhe inkurajojë nxënësit në zgjedhjen e profilit të tyre, t’iu ofrojë infomacione për profilet të cilat ofrohen në shkolla profesionale, nevojat e tregut të punës, realizimin e mësimit praktik në ndërmarrje dhe mundësinë e punësimit pas shkollimit.

Ministrja Nagavci ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe menaxhmentin e shkollës për përurimin e Qendrës së Karrierës, ndërsa ka falënderuar Qeverinë zvicerane, e cila përmes projektit “Rritja e punësimit për të rinj-EYE” po mundëson themelimin e qendrave të karrierës.

Nagavci tha se, nga praktika me qendrat e karrierës në komuna të ndryshme është vërejtur ndikimi i këtyre qendrave në ngritjen e vetëdijes së nxënësve rreth informimit, përzgjedhjes dhe avancimit të tyre profesional.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se MASHTI është e interesuar që të fuqizojë komponentin e orientimit dhe këshillimit në karrierë, pasi që e konsideron si shumë të rëndësishme, për çka edhe ka ndërmarrë një sërë veprimesh gjatë dy viteve të fundit.

Ndryshe, MASHTI ka bërë standardizimin e modelit të qendrave të karrierës për nivelin e shkollave profesionale, draftimin e UA për funksionimin e shërbimeve të qendrave të karrierës për nivelin e shkollave profesionale, akreditimin e programit kualifikues/ri-kualifikues për këshilltarë të karrierës, zhvillimin e konceptit të shërbimeve të orientimit në karrierë për klasat 6-9 të shkollave të mesme të ulëta, hapjen e 59 pozitave të reja për këshilltarë të karrierës për vitin 2023 për klasat 6-9 dhe institucionalizimin e pozitës së këshilltarëve të karrierës për klasat 6-9 dhe 10-12, përmes kategorizimit në ligjin e pagave.

Bazuar në MoU-të e nënshkruara me donatorë dhe në bashkëpunim me DKA-të janë themeluar 11 qendra të karrierës me bazë në shkollë (3 të themeluara nga AAAPARr, 6 nga projekti EYE dhe 2 nga projekti Solidar Swiss), 5 Qendra të tjera të karrierës të pritet të themelohen së shpejti.

Last modified: 25 Mars, 2023

Comments are closed.