Përfaqësues të shkollave nga disa shtete, si dhe përfaqësues të institucioneve, organizatave dhe shkollave në Kosovë, po marrin pjesë në Konferencën ndërkombëtare për zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, e cila është organizuar nga Qendra e Kompetencës në Ferizaj dhe Qendra e Trajnimeve “Diakonie” në Mitrovicë, në kuadër të projektit “VET to VET – Ndërtimi i kapaciteteve për Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Në hapje të konferencës, ministrja Arbërie Nagavci tha se arsimin dhe aftësimin profesional e kemi kryefjalë të agjendave tona duke ndjekur kështu trendin evropian të zhvillimit dhe avancimit në këtë lëmi.
“MASHTI ka prioritizuar arsimin profesional duke e radhitur në nivelin më të lartë të prioriteteve, të bindur se zhvillimi dhe aftësimi profesional janë çelës i zhvillimit ekonomik të vendit dhe mundësi për absorbim të lehtë të të rinjve tanë në tregun e punës”, tha ministrja Nagavci, ndërsa shtoi se vendimi për ta mbajtur këtë konferencë në Prishtinë dhe temat që janë përcaktuar, do të na ndihmojnë të ecim me hap më të shpejtë drejt caqeve dhe objektivave tona.
Duke folur për punën që po bëhet në drejtim të zhvillimit dhe avancimit të këtij segmenti të arsimit bashkë me partnerët zhvillimorë, ministrja Nagavci shprehu dëshirën që sa më shumë shkolla profesionale të Kosovës të përfshihen në projekte si ky, që përmes shkëmbimeve direkte të sjellin në shkollat tona përvoja të mira dhe moderne të ofrimit të shërbimeve.
Ndërkaq, për projektin “VET to VET” dhe rezultatet e tij që nga fillimi në vitin 2021 foli udhëheqësi dhe koordinatori, Nicolla Alimenti.
Pjesë e këtij projekti janë shkolla profesionale evropiane dhe nga Ballkani Perëndimor si Italia, Finlanda, Holanda, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja, si dhe 20 shkolla vendore profesionale përfshirë edhe sektorët e biznesit, Odën e Infermierëve, Qendrat e Kompetencës dhe Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional.
Last modified: 29 Mars, 2023