MASHT

NËNSHKRUHET MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI MES MASHTI-T DHE SHOQATËS KOSOVARE TË SHURDHËRVE TË KOSOVËS

30 Dhjetor, 2022

Me qëllim të përkrahjes dhe zhvillimit të kapaciteteve arsimore në përmirësimin e cilësisë së arsimit të fëmijëve me dëmtime në dëgjim në Kosovë, është nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve të Kosovës.

Po ashtu, kjo marrëveshje ka për qëllim implementimin e rekomandimeve të dala nga Udhëzuesi për edukimin gjithëpërfshirës, bilingualizmin dhe gjuhën e shenjave për fëmijët me dëmtime në dëgjim.

Me këtë rast, ministrja Arbërie Nagavci, ka përmendur veprimet që janë ndërmarrë për të siguruar kushte dhe mundësi që secili fëmijë me nevoja të veçanta të ketë qasje në arsim, respektivisht të sigurohet gjithëpërfshirje dhe cilësi në arsim për të gjithë pa dallim.

Ministrja Nagavci ka theksuar përkushtimin e MAShTI-t dhe Qeverisë së Kosovës që të kalohen sfidat dhe vështirësitë në bashkëpunim edhe me Shoqatën dhe komunitetin, në mënyrë që fëmijët e shurdhër të kenë mundësi të arsimohen.

Kryetari i Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve, Faton Parduzi falënderoi ministren Nagavci dhe MAShTI-n për përkushtimin që po tregojnë për të lehtësuar jetën e personave të shurdhër, sidomos për qasjen e tyre në arsim.

Last modified: 30 Dhjetor, 2022

Comments are closed.