Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, i cili ka nën ombrellë 8 organizata dhe shoqata të personave me aftësi të kufizuara. Në takim u diskutua për sfidat dhe prioritet në realizimin e qasjes së barabartë dhe krijimin e kushteve të mira për mësim.
Ministrja Nagavci i njoftoi ata me angazhimin e saj në adresimin e nevojave që kanë fëmijët/nxënësit me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor dhe për këtë tashmë është planifikuar punësimi i 100 asistentëve në komuna për vitin 2022, në kuadër të Grantit specifik për arsim në komuna.
Ministrja Nagavci gjithashtu tha se do të punojmë në sigurimin e kushteve dhe pajisjeve për specifikat e nxënësve me nevoja të veçanta, në mënyrë që të mundësohet përfshirja dhe pjesëmarrja aktive e tyre në procesin mësimor.
Përfaqësuesit e Forumit Kosovar për Aftësinë e Kufizuar e falënderuan Ministren për takimin dhe angazhimin e saj edhe në të kaluarën në adresimin e nevojave dhe përkrahjen për personat me nevoja të veçanta.
Ndër të tjera, ata e njoftuan me kërkesat dhe nevojat që kanë në fushën e arsimit duke vënë theksin në llojet e aftësive të kufizuara dhe specifikat e tyre, siç janë sigurimi i sintezës vokale dhe pajisjeve specifike për nxënësit me dëmtime në të pamur, sigurimin e asistentëve për nxënësit me dëmtime intelektuale dhe ata me dëmtime në dëgjim, sigurimin e pajisjeve dhe materialeve didaktike, etj.
Në fund të takimit, Ministrja dhe përfaqësuesit e Forumit u dakorduam për caktimin e prioriteteve për aftësinë kufizuar, në mënyrë që ato të adresohen nga MAShTI në bashkëpunim me akterët tjerë.
Last modified: 8 Qershor, 2022