MASHT

Ministrja Nagavci priti ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves

18 Prill, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Kosovë, Shkelqësinë e tij, Jonathan Hargreaves, së bashku me Drejtoreshën e Këshillit Britanik për Ballkan, Clare Sears.

Ministrja Nagavci e uroi ambasadorin Hargreaves për detyrën e re dhe e falënderoi për ndihmën që vendi i tij i ka dhënë Kosovës deri më tani, sidomos në sektorin e arsimit.

Ministrja Nagavci me këtë rast e ka njoftuar Ambasadorin Hargreaves për punën e deritanishme në arsimin e hershëm, atë parauniversitar dhe të lartë, si dhe për politikat dhe veprimet të cilat janë ndërmarrë, për përmirësimin e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet, në mënyrë të veçantë për mbështetjen që MAShTI është duke ofruar për gratë dhe vajzat në STEM.

Ministrja Nagavci theksoi se, MAShTI e konsideron të nevojshme mbështetjen e Britanisë së Madhe në synimin për përmirësimin e gjendjes në arsim, sidomos në arsimin profesional, në mënyrë që rinia kosovare të fitojë shkathtësi dhe kompetenca për të qenë e përgatitur për tregun e punës në Kosovë e më gjerë, ndërsa bashkë me Ambasadorin ndanë përvojat dhe perspektivat e përbashkëta ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit.

Ambasadori, Jonathan Hargreaves e falënderoi ministren Nagavci për gatishmërinë e saj për të vazhduar bashkëpunimin, ndërsa shtoi se Britania e Madhe do të vazhdojë ta mbështesë sektorin e arsimit në Kosovë.

Last modified: 18 Prill, 2024

Comments are closed.