MASHT

U hap Panairi i Edukimit, Karrierës dhe Punës

18 Prill, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në hapjen e Panairit të Edukimit, Karrierës dhe Punës. Në këtë Panair i pranishëm ishte edhe zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Taulant Kelmendi. Ky panair vjen si rezultat i kërkesës dhe nevojave të institucioneve arsimore, nxënësve e studentëve për të pasur një platformë komunikimi me të gjithë të interesuarit.

Qëllimi kryesor i këtij panairi është promovimi i punës së institucioneve edukative/arsimore, rritja e mundësive për bashkëveprim edukativo kulturor në mes të gjitha palëve, zvogëlimi i boshllëkut midis studenteve dhe institucioneve edukative/arsimore si dhe organizatave të ndryshme në fushën e edukimit dhe ofrimi i komunikimit te drejtpërdrejtë me shoqërinë nw përgjithësi.

Ministrja Nagavci në fjalën e saj të rastit tha se, kjo ngjarje i zgjeron dukshëm hapësirat për promovimin e arsimit në forma të reja dhe kreative. Po ashtu tha se këtë vit në Panair përfshihen sektori i punës dhe karrierës, duke ekspozuar rreth 30 biznese të cilat bashkëpunojnë me sektorin e arsimit professional.

Brenda dy viteve shkollore janë funksionalizuar 12 profile të arsimit dual të shtrira në 24 shkolla, në 14 komuna të vendit dhe numri i nxënësve që ndjekin këto programe, duke mësuar dhe punuar, i është ofruar shifrës 1000 dhe pritet që të rritet në vijim.

Nagavci tha se ngjarje të tilla, forcojnë edhe më tej lidhjet mes arsimit dhe biznesit, pra bëjnë ndërlidhjen e shkathtësive me tregun e punës.
Panairi i Edukimit mbulon të gjitha fazat e arsimit, duke sjellë një ofertë të gjithmbarshme arsimore për të gjithë ata që duan më të mirën për veten dhe për fëmijët e tyre.

Last modified: 18 Prill, 2024

Comments are closed.