MASHT

MINISTRIA E ARSIMIT ORGANIZOI DISKUTIM PUBLIK PËR DRAFTIN E PROGRAMIT KOMBËTAR TË SHKENCËS 2023-2028

26 Prill, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, Myzafere Limani në tryezën e diskutimit për draftin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028, e vlerësuan hap të rëndësishsëm finalizmin e këtij drafti sa i përket zhvillimit të shkencës në vendin tonë.

Kryeministri Albin Kurti me këtë rast tha se zhvillimi i shkencës është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit të bazuar në dije dhe përdorim të arritjeve të teknologjisë.

Kryeministri Kurti po ashtu theksoi se synim i Qeverisë është rritja e aftësisë konkurruese në shkencë dhe krijimi i infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e saj. Ai po ashtu foli edhe për mbështetjen financiare të studentëve të fushave STEM dhe projekteve shkencore.

Ndërsa, ministrja Arbërie Nagavci tha se, me qëllim që t’i hapim udhën procesit të rëndësishëm të miratimit të draftit të Programit Kombëtar të Shkencës jemi bërë bashkë përfaqësues nga institucionet shtetërore, qarqet akademike të vendit, institutet kërkimore e shkencore, organizatat dhe misionet në Republikën e Kosovës.

Nagavci shprehu besimin e plotë se dokumenti final do të jetë i plotë dhe lartësisht cilësor dhe se do të ndikojë në avancim të hovshëm të shkencës dhe inovacionit në Kosovë

Ajo theksoi se, shkenca luan rol thelbësor dhe ka një sërë funksionesh në të mirë të shoqërisë, përfshirë krijimin e dijeve të reja, përmirësimin e arsimit, dhe ngritjen e cilësisë së jetës së një vendi në tërësi. “Ajo prek çdo aspekt të ekzistencës sonë, që nga fëmijëria e hershme e gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së secilit prej nesh”, tha Nagavci.

Ndër të tjera, Nagavci bëri të ditur se, ky draft që sot ndodhet në diskutim publik, është rezultat i punës së nisur rreth dy vjet më parë, duke rikthyer në vëmendjen publike një proces i cili ishte lënë krejtësisht në harresë për një dekadë.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, Myzafere Limani foli për punën e madhe që është bërë deri në finalizmin e këtij drafti, ndërsa tha se i mirëpret të gjitha komentet dhe sygjerimet të cilat do të ndikojnë pozitivisht në plotësimin e tij.

Limani tha se theks i veçantë në këtë draft i është kushtuar bashkëpunimit të shkenctarëve në Kosovë dhe ata në diasporë.

Ndryshe, në nëntor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur 15 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës me mandat 4-vjeçar, ndërsa më 27 dhjetor 2022, Ministrja ka pranuar zyrtarisht Programin Kombëtar të Shkencës për periudhën 2023-2028.

Drafti i këtij programi ka dalë në diskutim publik më 7 prill 2023 dhe do të jetë i hapur deri më 4 maj 2023.

Ky dokument udhëzon politikat e kërkimit shkencor në Kosovë dhe është orientuar në gjashtë objektiva: zhvillimi i një sistemi efektiv dhe inovativ të kërkimit shkencor; zhvillimi dhe aftësimi i kapaciteteve njerëzore për veprimtari kërkimore-shkencore; zhvillimi i infrastrukturës kërkimore-shkencore; ndërkombëtarizimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore; ndërlidhja mes shkencës, ekonomisë dhe shoqërisë dhe përsosmëria e veprimtarisë kërkimore-shkencore në fushat specifike.

Programi ka gjashtë prioritete: shëndeti, shoqëria, burimet natyrore, bujqësia, marrëveshja e gjelbër, dhe dixhitalizimi.

Last modified: 26 Prill, 2023

Comments are closed.