MASHT

MASHTI ORGANIZOI TRYEZËN “DIVERSITETI NË SHKOLLA-TRI DIMENSIONET E GJITHËPËRFSHIRJES”

26 Prill, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), me rastin e përmbylljes së aktiviteteve vetëdijësuese për respektimin e dallimeve në arsim “Muaji i Diversitetit në Arsim” organizoi sot tryezën “Diversiteti në Shkolla-Tri Dimensionet e Gjithëpërfshirjes (Politika, Praktika dhe Kultura), ku në emër të ministres Nagavci, të pranishmit i përshëndeti këshilltarja e saj, Laura Lutfiu, e cila vlerësoi punën që po bëhet në shkolla sa i përket gjithëpërfshirjes dhe diversitetit në arsim.

Luftiu theksoi se Ministria e Arsimit po punon me përkushtim që të rishikojë politikat dhe të zhvillojë politika të reja në këtë drejtim, duke respektuar standardet më të mira evropiane.

Po ashtu, Lutfiu foli edhe për hapat konkret që ka ndërmarrë Ministria deri më tani për të përmirësuar gjendjen në arsim për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore dhe të gjitha veprimet e tjera për të përqafuar diversitetin në shkolla.

Ndër të tjera, ajo përmendi punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, politikat për gjuhën e shenjave dhe njoftoi që për vitin 2023 janë në plan rishikimi i UA për Qendrat Burimore dhe Vlerësim Pedagogjik dhe aktivitete të tjera, ndërsa theksoi se në Planin Strategjik për Arsimin 2022-2026, i është dhënë vëmendje e veçantë rritjes së përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive të nxënësve nga grupet e margjinalizuara përmes krijimit të klimës nxitëse dhe përkrahëse.

Nga data 03 prill e deri më sot, Divizioni i Arsimit Gjithëpërfshirës, Qendrat Burimore dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit (zyrtarët për Arsim Gjithëpërfshirës), kanë organizuar ligjërata dhe diskutime në shkolla lidhur me arsimin gjithëpërfshirës dhe diversitetin.

Last modified: 26 Prill, 2023

Comments are closed.