MASHT

MASHTI ORGANIZON KONFERENCËN E PARË STEMINISTS

25 Prill, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, organizoi konferencën e parë STEMinists, e cila mblodhi të gjithë akterët përkatës që punojnë në përmirësimin e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), duke kontribuar në zhvillimin e tyre profesional dhe akademik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij të rastit theksoi se është detyrë e Qeverisë që të angazhohet në përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në fushat STEM.

Kurti tha se kjo konferencë do të mundësojë rrjetëzimin e vajzave/grave në këto fusha, promovimin e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe krijimin e mundësive për punë praktike, mentorim e zhvillim profesional.

Ai shtoi se këta mekanizma i shtohen mbështetjes financiare për vajzat/gratë në STEM që tashmë po zbatohet si politikë e re e Qeverisë së Kosovës që dy vite.

“Përkundër barrierave, gratë dhe vajzat kanë dhënë kontribut të madh në fushat e shkencës, që përkundër kontributit kurrë nuk janë çmuar. Jo vetëm si feminist por edhe si steminist, është detyrë e jona që të punojmë për shtet”, tha ai.

Përtej përfitimit personal, kryeministri Kurti tha se përfshirja e grave dhe vajzave në STEM ndikon në zhvillimin e shoqërisë në një masë të madhe, përfshirë edhe rritjen ekonomike të.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti theksoi se konferenca STEMinists shënon ngjarjen e parë në këtë drejtim dhe emërtimi i kësaj nisme përcejllë mesazhin e angazhimit të Qeverisë për barazi gjinore edhe përmes STEM-it.

Nikoqirja e kësaj konference, ministrja Arbërie Nagavci tha se ky organizim i përmasave të merituara promovon në mënyrë dinjitoze avancimin profesional të grave dhe vajzave në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.

Përtej shënimit simbolik të barazisë, Nagavci tha se po synohet promovimi i arritjeve shkencore të grave dhe vajzave dhe heqja e barrierave në zgjedhjen e profesionit.

“Studime të shumta tregojnë se gratë tregojnë performancë më të mirë akademike, në krahasim me burrat, megjithatë akoma ka mendime dhe jo pak zëra se është e kundërta. Këto stereotipe ndikojnë ndjeshëm në zgjedhjet e vajzave dhe grave në karrierë në shkencë. Kështu jo vetëm se vajzat dhe gratë privohen nga realizimi i potencialit te tyre, por edhe shoqëria privohet nga zhvillimi që do të mund të sillte potenciali i gjysmës së popullsisë”, tha Nagavci.

Nagavci foli edhe për përkrahjen e pandalshme nga Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, ambasadat dhe organizatat e ndryshme në promovimin e këtyre politikave. Ajo tha se falë masave stimuluese që janë ndërmarrë është arritur pjesëmarrja e vajzave në STEM në Universitetin e Prishtinës në masën 50%, kur në vendet e Bashkimit Evropian është 17%, duke shtuar se, si ministre e Arsimit, por edhe si grua, ndihet jashtëzakonisht krenare me arritjet e shumta të vajzave dhe grave tona, në të gjitha fushat.

Për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në STEM folën edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Arnhild Spence, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, Myzafere Limani, drejtoresha e Institutit për Fotonikë dhe Nanoteknologji, znj. Vozzi.

Ndryshe, për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, MAShTI në vitin akademik 2021/22 kishte ndarë buxhet për 1000 bursa për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet si STEM.

Në vitin vijues akademik, pra 2022/23 është dyfishuar buxheti për këto bursa, e do vazhdohet kjo plotikë e mbështetjes edhe vitet e ardhshme.

Last modified: 25 Prill, 2023

Comments are closed.