MASHT

Ministri Buja: Arsimi i Lartë në përputhje me objektivat e Bolonjës

8 Gusht, 2011

Prishtinë, 8 gusht 2011 – Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) së bashku me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian (KE), kanë prezantuar sot, në një konferencë, përfituesit e projekteve nga programi TEMPUS

Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se MASHT ka hartuar Strategjinë për Zhvillimin e Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës me synim për të ndërtuar një sistem bashkëkohor të Arsimit të Lartë.

Sipas tij, përshtatja e programeve me profilin e programit TEMPUS, vizioni për zhvillimin e Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës është në përputhje me objektivat e Bolonjës dhe të gjitha objektivat strategjike.

Ministri Buja ka cekur se Programi TEMPUS përmes projekteve të ndryshme ka kontribuar drejtpërdrejtë në zhvillimin e kurrikulave, bashkëpunimin me shoqërinë, menaxhimin e universitetit, trajnimin e mësimdhënësve, etj. Gjithashtu, ai ka cekur projektet për sigurimin e cilësisë, të cilat mbulojnë pothuaj tërë sektorin e Arsimit të Lartë -Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Mitrovicës, Universitetin e Prizrenit, si dhe sektorin privat.

“Nga programi TEMPUS për Kosovën ka përfituar edhe Universiteti i Mitrovicës, që paraqet një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë të këtij institucioni në sistemin e Arsimit të Lartë në Kosovë. Po ashtu, edhe Universiteti i Prizrenit ka përfituar dy projekte në ngritjen e cilësisë dhe zhvillimin e një programi Master për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve menaxhuese, turistike në rajon”, ka thënë ministri Buja, duke shtuar se politikat e Arsimit të Lartë nuk janë vetëm punë të cilat duhet t’i jetësojë Ministria e Arsimit, por “jemi për një arsim modern i cili nënkupton qasje ndërsektoriale dhe ndërministrore dhe një liri të plotë akademike dhe financiare të Institucioneve të Arsimit të Lartë”.

Ministri Buja u ka uruar sukses koordinatorëve të projekteve të TEMPUSIT, të cilët kanë aplikuar me projekt propozimet e tyre, ndërkaq ka premtuar se MASHT do të jetë i hapur për bashkëpunim në sa më shumë programe të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, z.Melvin Asin, zëvendësshef i Operacioneve- Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian (KE), vlerësoi se projekti i TEMPUS-it është hartuar që të mbështesë institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë dhe në mbarë Evropën, për të modernizuar dhe për të zhvilluar programet e tyre, kurrikulat dhe menaxhmentin.

Asin tha se ky projekt lehtëson shkëmbimet ndërmjet universiteteve në Evropë dhe ofron mjete për Arsimin e Lartë në Kosovë, në mënyrë që të krijojë rrjete dhe të vendosë partneritet me institucione tjera të Arsimit të Lartë në Evropë.

Sipas tij, institucionet e Kosovës (publike dhe private), kanë qenë të suksesshme në qasjen e programeve të TEMPUS-it dhe si rezultat janë duke përfituar nga bashkëpunimi me institucionet dhe kolegjet evropiane në krijimin e kapaciteteve akademike.
Ai ndërkohë përmendi edhe projektin Erasmus Mundus, duke thënë se ky projekt ofron grante për për profesorë dhe për studentë nga Kosova, si dhe vizita në universitete të Evropës.


Kimete Canaj, koordinatore e Programit TEMPUS, tha se TEMPUS është një histori suksesi në Kosovë që nga viti 2003. “Arsimi i Lartë luan rol thelbësor në krijimin dhe përhapjen e njohurive, në përgatitjen e gjeneratave të ardhshme, ashtu që ata të bëhen qytetarë aktivë dhe aktorë ekonomiko shoqëror”, ka thënë znj.Canaj, duke sqaruar se
Programi TEMPUS ka për qëllim reformimin e Arsimit të Lartë dhe harmonizimin me atë të Bashkimit Evropian.

Programi i TEMPUS-it përmes projekteve kontribuon në transmetimin e vlerave, njohurive, risisë, inovacionit dhe barazisë, vlera të cilat janë esenciale për zhvillimin e një shoqërie demokratike, moderne dhe qytetare.

Sipas saj, në vitin akademik 2011 nga programi i TEMPUS-it kanë përfituar 5 projekte, të cilat do të fillojnë të implementohen më 15 tetor 2011, në vlerë prej 1.8 mil Euro.

Projektet të cilat kanë përfituar nga programi i Tempusit janë: Përkrahja strategjike për zhvillimin e strukturave të qëndrueshme të ruajtjes së cilësisë në Universitetin e Prizrenit; Zhvillimi i arsimit joformal (alfabetizimit) për mësim gjatë tërë jetës dhe ekonomia e dijes në vendet e Ballkanit Perëndimor; Zhvillimi i edukimit për të drejtat e njeriut në zemër të Arsimit të Lartë; Rrjeti për studime postdiplomike Master në Menaxhmentin e Turizmit dhe Monumenteve Kulturore në vendet e Ballkanit.

Canaj ka inkurajuar të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë dhe studentët në Kosovë që të konkurojnë për bursa në këtë program.

Konkursi për Programin e Tempusit do të hapet në mes të nëntorit 2011.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.