MASHT

Ministri Bajrami vizitoi dy shkolla në Deçan dhe në Junik dhe mori pjesë në debatin për dy Projektligjet, i cili u mbajt në Universitetin e Pejës

21 Maj, 2015

21 Maj 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka zhvilluar disa aktivitete gjatë ditës së sotme: ka marrë pjesë në 100 vjetorin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Sylë Alaj” në Drenoc të Deçanit, ka vizituar shkollën “Edmond Hoxha në Junik, ndërsa ka marrë pjesë edhe në debatin e radhës për Projektligjin për Arsimin e Lartë dhe atë për Profesionet e Rregulluara, i cili është mbajtur në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Ministri Bajrami, fillimisht është pritur nga kryetari i Komunës së Deçanit, z. Rasim Selmanaj, me të cilin ka biseduar për gjendjen e arsimit në këtë komunë. Ndërsa, më pas ministri ka marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të shkollës “Sylë Alaj”, i cila është shkolla e parë shqipe në trevën e Vokshit, ku ka përgëzuar mësimdhënësit, të cilët për kaq shumë vite kanë dhënë shumë nga vetja e tyre për të arsimuar gjenerata të tëra. Ai tha se ky është një kontribut i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh se mësimdhënësit kanë punuar edhe në periudha shumë të vështira për popullin tonë.

Ministri Bajrami theksoi se tani është koha të angazhohemi për më shumë cilësi në shkollat tona, sepse vetëm kështu do të sigurojmë të ardhme më të mirë për nxënësit dhe për vendin tonë.

Me këtë rast, ministri Bajrami, ndau mirënjohje për mësuesin e parë të kësaj shkolle – Ibrahim Fehmiu (babai i aktorit të madh Bekim Fehmiu), të cilën e pranoi familja e tij.

Më pas, ministri Bajrami, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Junikut, z. Agron Kuçi, ka vizituar shkollën “Edmond Hoxha” në këtë komunë, për të parë nga afër se si po zhvillohet procesi mësimor në këtë institucion arsimor.
Ministri Bajrami, ka marrë pjesë edhe në debatin e tretë publik, i cili kësaj radhe është mbajtur në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ku ka ritheksuar se po synohet reforma në shumë aspekte në këtë nivel të arsimit, në të mirë të ngritjes së cilësisë dhe në menaxhim në arsimin e lartë.

Ministri, po ashtu, theksoi nevojën për një ligj, i cili do të sigurojë standarde të cilësisë në arsimin e lartë, të definimit të autonomisë akademike dhe financiare të universiteteve, të bazuar në një proces të plotë të decentralizimit dhe bartje të vendimmarrjes tek njësitë sa më të vogla akademike. Ai po ashtu përmendi se me Projekligjin për Arsimin e Lartë është forcuar roli i Senatit, ndërsa rektori do të jetë produkt akademik.

Ministri Bajrami ftoi mësimdhënësit dhe studentët e këtij universiteti që të japin kontributin e tyre, duke marrë pjesë në këtë debat, në mënyrë që të krijojmë një ligj të qëndrueshëm në kohë dhe të zbatueshëm në praktikë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.