MASHT

Ministri Bajrami priti ambasadorin e Austrisë në Kosovë

30 Janar, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti sot ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Johann Brieger, me të cilin bisedoi për proceset nëpër të cilat po kalon arsimi kosovar, planet për zhvillimin e arsimit dhe ndihmën që mund ta japë shteti austriak në këtë drejtim.

Ministri Bajrami e falënderoi ambasadorin austriak për ndihmën që ka dhënë shteti i tij për Kosovën, sidomos për arsimin kosovar për shume vite para dhe pas luftës. Ai tha se Qeveria e Austrisë është donatori më i madh i arsimit në Kosovë, ndërsa përmendi ndihmën e madhe që ka dhënë për arsimin e lartë në shumë segmente, përfshirë këtu edhe hapjen e dyerve të universiteteve austriake për studentët kosovarë.

Sa i përket arsimit të lartë, ministri Bajrami tha se do të jetë prioritet në punën e tij, dhe për zhvillimin e këtij niveli të arsimit, fillimisht do të fillojë debati për ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, për të cilin kërkoi përkrahjen e shtetit austriak.

Ambasadori Brieger tha se ndjehet shumë i kënaqur që vendi i tij ka pasur mundësi ta ndihmojë në masë të madhe arsimin kosovar që nga vitet e 90-ta, dhe premtoi bashkëpunim të vazhdueshëm në të mirë të zhvillimit të arsimit në vendin tonë.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.