MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në ngjarjen lansuese të projektit të ri “Mbështetje të edukimit në gjuhën serbe në Kosovë”

21 Nëntor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë ngjarjen lansuese të projektit të ri “Mbështetje të edukimit në gjuhën Serbe në Kosovë: Procesi i verifikimit të diplomave të UMV, hulumtimi i situatës aktuale, zhvillimi i udhërrëfyesit të MASHT dhe trajnimi direkt i UMV dhe stafit mësimor të tij”, me ç’rast ka bërë ndarjen simbolike të 131 diplomave të verifikuara (certifikuara) nga MAShT për studentët e Universitetit të Mitrovicës Veriore, me të cilat studentët e komunitetit serb do të jenë konkurrentë të barabartë në tregun e punës në Kosovë dhe jashtë saj.

Procesi i verifikimit është kryer nga një komision i përzgjedhur kohë më parë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa është financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancuar nga Ambasada e Norvegjisë në Prishtinë.

Ministri Bajrami, me këtë rast, tha se kjo ngjarje tregon përkushtimin tonë për të punuar në promovimin e qasjes afirmative dhe gjithpërfshirjes së të gjitha komuniteteve në tregun e punës dhe sistemin arsimor.

“Qeveria e Kosovës ka qenë shumë e përkushtuar dhe ka themeluar një Komision të nivelit të lartë, i cili ka filluar me procesin e certifikimit të diplomave. Ministria e Arsimit ka ofruar mbështetjen e nevojshme dhe partnerët tanë, përfshirë edhe ECMI-në janë angazhuar për të stimuluar të rinjtë që të aplikojnë për certifikim”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se nga 170 aplikacione, 131 diploma tashmë janë certifikuar. 

Ministri Bajrami theksoi se ky është një hap përpara drejt diversitetit, integrimit dhe kjo po tregon se Qeveria e Kosovës do të punojë për t’i dhënë mundësinë secilit të ri, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, që të jetë qytetar i barabartë i Kosovës. 



“Jemi duke zhvilluar politika proaktive për integrimin e plotë të të rinjve, nxënësve dhe studentëve të komunitetit serbë brenda hapësirës së Kosovës, sepse Kosova është edhe  vendi i tyre dhe ata mund të realizojnë karrierën e tyre”, tha Ministri, ndërsa theksoi se jemi duke punuar që të ndërtojmë një kornizë të qëndrueshme për njohjen e diplomave.

Me këtë rast, ministri Bajrami uroi që edhe Qeveria e Serbisë të bëj të njëjtën gjë dhe të respektojë Marrëveshjen për njohjen e diplomave për studentët tanë në Luginën e Preshevës, të cilëve akoma nuk u njihen diplomat. 

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, z. Thomas Gnocchi, tha se qasja e barabartë në sistemin e edukimit është prioritet në agjendën evropiane dhe në strategjitë e Qeverisë së Kosovës, ndërsa theksoi se Zyra e Bashkimit Evropian mbështet procesin e përfshirjes së studentëve serbë në institucionet e Kosovës. 



Ambasadori i Norvegjisë, H.E. Per Stand Sjaastad, tha se ekziston një përkushtim i madh i Qeverisë së Kosovës për të ofruar arsim kualitativ për të gjitha komunitetet dhe për të ofruar rekrutim në bazë të meritave dhe kompetencave të kandidatëve.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.