MASHT

KA FILLUAR JAVA E ORËS SË KODIMIT NË KOSOVË

13 Nëntor, 2023

Në kuadër të iniciativës globale Ora e Kodimit, ka filluar sot java e Orës së Kodimit në Kosovë, me ç ‘rast ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në aktivitete me nxënësit e klasës së 6-të të SHFMU “Shkolla e Gjelbër” në Prishtinë.

Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me SHPIK dhe Code.org, do të implementojnë iniciativën globale Hour Of Code – Orën e Kodimit, e cila do të mbahet nga data 13 deri më 17 nëntor.

Ministrja Arbërie Nagavci ka thënë se, Ora e Kodimit ka për qëllim përgatitjen dhe nxitjen e nxënësve drejt mësimit të kodimit, ku gjatë javës së Orës së Kodimit, shkollat dhe qendrat partnere do të organizojnë kurse të kodimit, projekte, prezantime e sesione informuese rreth kodimit, inteligjencës artificiale e shkencave kompjuterike.

“Sot në më shumë se 300 shkolla në secilën komunë të Republikës së Kosovës, nxënësit  po realizojnë Orën e Kodimit, bashkë me mësimdhënësit e tyre. Ju dëshiroj shumë suksese, kënaqësi me ju pa kaq të interesuar dhe entuziastë, por edhe që i keni tejkaluar pritjet në këtë fazë”, është shprehur ministrja Nagavci.

Ndërsa, zv/ministri i Arsimit, Taulant Kelmendi tha se, këto aktivitete dhe ky entuziazëm shpreson se do t’iu shërbejë si motiv nxënësve të tjerë dhe se vitin e ardhshëm mbi 300 mijë nxënës sa janë në sistemin parauniversitar të Kosovës do të kenë mundësi të kenë qasje në këtë platformë. Hour of Code është një iniciativë globale nga Computer Science Education Week dhe Code.org për t’ua mësuar miliona nxënësve në mbarë botën nga një orë mësim në shkenca kompjuterike dhe programim.

Last modified: 13 Nëntor, 2023

Comments are closed.