MASHT

FAKULTETI I EDUKIMIT OFRON MBËSHTETJE ME STUDENTË NË ZËVËNDËSIMIN E MËSIMDHËNËSVE SHTATZËNA

25 Prill, 2021

Në zbatim të vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga procesi mësimor (me prezencë fizike), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka arritur marrëveshje me Fakultetin e Edukimit që në vend të mësimdhënësve shtatzëna, të angazhohen studentë të kësaj njësie akademike.

Fakulteti i Edukimit ka shprehur gatishmëri që në këto pozita të caktojë studentë të nivelit master dhe studentë të vitit të katërt (absolventë). Në bazë të të dhënave që i kanë ofruar komunat, numri i mësimdhënësve shtatëzëna aktualisht është rreth 400.

Të premten më datë 23 prill 2021, Fakulteti i Edukimit i ka përcjellë listat me studentë të secilës komunë, ndërkaq MASHTI të njejtat i ka proceduar në drejtoritë komunale të arsimit ku janë informuar për këtë mbështetje profesionale në mbulimin e lëndëve të ndryshme mësimore, aty ku paraqitet nevoja.

Studentëve që do të angazhohen në këto pozita, kjo do t’ju njihet si praktikë profesionale dhe njëkohësisht puna e tyre do të realizohet në koordinim dhe mbështetje të plotë me mësimdhënësen (shtatzënë) që eventualisht do të lirohet nga prezenca fizike në shkollë.

Mësimdhënëset janë të obliguara që përmes komunikimit në distancë, në vazhdimësi të jenë në kontakt me studenten apo studentin e caktuar duke i ofruar mbështetjen e nevojshme.

Javën e ardhshme, MASHTI do të shqyrtojë mundësinë të kërkojë mbështetje të njejtë edhe nga njësitë tjera akademike në mënyrë që ky proces të realizohet me sukeses.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.