MASHT

MINISTRI BAJRAMI MBAJTI DEBATIN PËR LIGJIN PËR ARSIMIN E LARTË DHE LIGJIN PËR PROFESIONET E RREGULLUARA NË FAKULTETIN JURIDIK DHE EKONOMIK

9 Qershor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në debatin publik të radhës për Ligjin për Arsimin e Lartë dhe atë për Profesionet e Rregulluara, i cili u mbajt në Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. 

 Edhe në këtë debat, ministri Bajrami ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së  të gjitha palëve të interesit, në mënyrë që të kemi një ligj i cili do të rregulloj nivelin e arsimit të lartë në Kosovë, për një periudhë të gjatë kohore.

Ministri Bajrami, ndër të tjera tha se, synim kryesor i këtyre ligjeve është krijimi i mekanizmave për rritjen e cilësisë.

“Ligji për Arsimin e Lartë ka katër qëllime kryesore, të caktoj standardet e Arsimit të Lartë Publik, të caktoj standardet e Asimit të Lartë Privat, të krijoj bazën për partneritet publiko- privat dhe të krijoj kushtet për operimin e institucioneve ndërkombëtare të Arsimit të Lartë në Kosovë”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri theksoi se në Ligjin e ri janë paraparë standarde të larta dhe në shumë dimensione sa i përket çështjes se kush mund të quhet universitet, thirrjeve akademike, qeverisjes efektive akademike dhe financiare, përbërjes dhe rolit të Senatit, zgjedhjes dhe kompetencave të rektorit dhe të Këshillit Drejtues, etj.
Duke folur për burimet dhe mënyrën e financimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ministri Bajtami tha se, Qeveria e Kosovës do të ndajë buxhet për universitetet  në bazë të performancës.

Ministri Bajrami po ashtu tha se, Ligji për Profesionet e Rregulluara është një ligj që i ka munguar Kosovës. Ky ligj parasheh themelimin e Agjencisë Shtetërore për Standarde dhe Testim, theksoi ministri Bajrami.

Last modified: 29 Gusht, 2022