MASHT

ZV/MINISTRJA MALOKU BËRDYNA MORI PJESË NË LANSIMIN E PROJEKTIT “SUPERSCHOOLS”

13 Tetor, 2021

13 Tetor 2021

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, bashkë me ambasadorin e Gjermanisë Joern Rohde, ambasadoren e Francës Marie-Christine Butel dhe atë të Bashkimit Europian Tomáš Szunyog, ka marrë pjesë në lansimin e projektin “SuperSchools” (SuperShkollat), i cili është program shkëmbimi ndërmjet shkollave të mesme të Ballkanit Perëndimor dhe synon promovimin e dialogut e pajtimit ndëretnik në vend e rajon.

Me këtë rast, zv/ministrja Maloku Bërdyna tha se kultivimi i diversitetit, ofrimi i mundësive të barabarta dhe gjithëpërfshirja, janë komponente thelbësore të planit tonë strategjik dhe ky projekt përkon mirë me këto qëllime tonat.

Zv/ministrja Maloku Bërdyna theksoi se MAShTI beson se përmes arsimit cilësor e gjithëpërfshirës ndihmojmë në zhvillimin e një shoqërie ku të gjithë ndihen të mirëseardhur, të pranuar dhe të lirë të shprehin veten, ashtu siç ata janë dhe siç ata duan. 

Prandaj, zv/ministrja Maloku Bërdyna falënderoi të gjithë partnerët që po e mundësojnë realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për fëmijët e të rinjtë tanë.

“SuperSchools” është projekt që zbatohet nga Zyra rajonale për bashkëpunim rinor (RYCO) dhe GIZ dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Projekti do të realizohet përmes tre thirrjeve të granteve, gjatë tre viteve të ardhshme dhe 100 projekteve  të mbështetura për programe shkëmbimore në mes shkollave.

Në këtë projekt mund të aplikojnë të gjitha shkollat e mesme dhe thirrja është e hapur deri më 28 tetor 2021. Numri i përgjithshëm i projekteve të mbështetura për ciklin e parë do të jetë 26, ku do të zhvillohen 51 programe shkëmbimore.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.