MASHT

Zv/ministri Sahiti mori pjesë në ceremoninë e përurimit të renovimit të shkollës “Bahri Haxha” të Vushtrrisë

22 Shkurt, 2018

Zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti së bashku me zëvendësshefen e Zyrës Amerikane në Kosovë, znj. Colleen Hyland, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të renovimit të shkollës “Bahri Haxha “ të Vushtrrisë , donacion i Programit për ndihma humanitare të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë.

Me këtë rast, zv/Sahiti është shprehur se  MASHT është në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën Amerikane dhe donatorë tjerë ndërkombëtarë, të cilët operojnë në Kosovë, me qëllim të krijimit të kushteve të mira për arsim cilësor.

“Përkrahja amerikane për popullin tonë nuk ka munguar asnjëherë dhe falë përkrahjes amerikane dhe luftës sonë të drejtë, sot jemi të lirë e të pavarur. Ndërsa, ky investim për renovimin e shkollës është investim në krijimin e kushteve më të mira për ngritjen e cilësisë së arsimit në shkollat tona”, tha zv/ministri Sahiti.

Në vazhdim, zv/ministri Sahiti duke falënderuar përfaqësuesit e Zyrës Amerikane për investimet e bëra, tha se tashmë kemi një shkollë me ambient të këndshëm, më të rehatshëm për zhvillimin e mësimit, për nxënës dhe mësimdhënës dhe uroi që nga kjo shkollë të dalin kuadro të mira, të cilat një ditë do të japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit tonë.

Ndryshe, me këtë investim është renovuar objekti i kësaj shkolle gjatë viteve 2016-2017 me donacione tërësisht nga ushtria amerikane – USA ARMY.

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.