MASHT

Zëvendësministri i Arsimit, z. Agim Berdyna priti ambasadorin e Francës në Kosovë

23 Janar, 2017

Zëvendësministri i Arsimit, z. Agim Berdyna priti ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Didier Chabert, të shoqëruar nga udhëheqësja e Fondacionit ESSILOR, znj. Aicha Mokdahi. Gjatë këtij takimi u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit, me fokus aspektin shëndetësor, përkujdesjen preventive ndaj nxënësve me nevoja të veçanta në të parë (me shikim të dobët).

Zv/ministri Berdyna foli për zhvillimet e arsimit në Kosovë,  me ç`rast theksoi bashkëpunimin  e mirë dhe ndihmesën nga partnerët ndërkombëtarë në fushën e arsimit  dhe tha se aktualisht jemi në fazën e pilotimit të Kurrikulës së re, e cila  do të fillojë të zbatohet në të gjitha shkollat e Kosovës në vitin e ri shkollor.

Në vazhdim, zv/ministri Berdyna tha se Kurrikula e re në përmbajtje ka edhe komponentin e mbrojtjes shëndetësore të nxënësve, por theksoi se qasja jonë  momentalisht  është vetëm në fazën e edukimit parashkollor dhe ka vetëm karakter preventues.

Z. Berdyna, gjithashtu tha se mundësitë e bashkëpunimit reciprok në këtë aspekt janë të mira, por nevojitet që të identifikojmë nevojat që kemi, si dhe t’i harmonizojmë ato me mundësitë që ofron Fondacioni.

Nga ana e tij, ambasadori francez z. Didier Chabert, tha se vendi i tij përcjellë me vëmendje zhvillimet në fushën e arsimit në Kosovë dhe se është mirë që tashmë Kosova ka një Kurrikulë të bazuar në kompetenca, ndërsa shtroi interesimin e Fondacionit “ESSILOR” për të dhënë kontributin në aspektin e shëndetit në të parët tek fëmijët.

Sipas znj. Aicha Mokdahi, menaxhere e Fondit “ESSILOR”, ky fond ka programe në 400 vende të botës dhe se përveç shërbimeve me pagesë ofron edhe shërbime profesionale pa pagesë në rastet kur kjo konstatohet se është e nevojshme. Ndërsa, ajo theksoi së ky shërbim profesional në shkollat e Kosovës është shumë i rëndësishëm për cilësinë e të  parit tek fëmijët.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.