MASHT

U publikua Studimi mbi koston për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme

24 Nëntor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në publikimin e Studimit mbi koston për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili është përgatitur nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, me përkrahjen e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli tha se, ky studim është shumë i rëndësishëm, veçanërisht sa i përket rritjes së standardeve në viset rurale. Kryetari Veseli tha se, mospërfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm, ndikon në zhvillimin e vogël ekonomik të vendit.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka vlerësuar se, përkrahja e një studimi të tillë nga ana e Kuvendit të Kosovës, është një tregues i përqëndrimit të kryetarit të Kuvendit, por edhe gjithë akterëve të tjerë, në avancimin e të drejtave të njeriut. 

Ministri Bajrami tha se, çështja e gjithëpërfshirjes në arsimin parafillor dhe fillor është një dimension shumë i rëndësishëm i respektimit të të drejtave të njeriut.

“Gjithëpërfshirja dhe investimi në fëmijërinë e hershme është suksesi i gjithë sistemit arsimor, si dhe hallka e parë e ndërtimit të një sistemi cilësor të arsimit. Jemi shumë të kënaqur me këtë studim, sepse është një tregues i vërtetë i gjendjes reale, ndërsa nuk është edhe aq i kënaqshëm niveli i përfshirjes së fëmijëve, duke qenë se është jashtë standardeve evropiane”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami u zotua se, MAShT është duke punuar për të rritur gjithëpërfshirjen e fëmijëve në arsimin parafillor, për të rritur numrin e kopshteve publike dhe private, rritjen e fondeve dhe rritjen e standardeve në kopshte.



Ministri Bajrami bëri të ditur se MAShT në bashkëpunim me Projektin IPA ka aprovuar mjetet për ndërtimin e rreth 20 kopshteve publike në vitin e ardhshëm, si dhe ka punuar në caktimin e saktë të Kurrikulës për moshat 3-6 vjeç.

Ndërsa, përfaqësuesi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. James Mugaju, tha se vizioni i UNICEF-it  është që të sigurohet se, të gjithë fëmijët e Kosovës janë fizikisht të shëndetshëm, mentalisht dhe emocionalisht të sigurtë dhe të gatshëm për të mësuar. Ai tha se, investimi në edukimin e hershëm është mundësi unike për t’i përgatitur fëmijët që të jenë anëtarë produktiv të shoqërisë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.