MASHT

U PROMOVUA SKEMA E RE E ARSIMIT TË LARTË – “MËSIMDHËNIA E BAZUAR NË HULUMTIM”

23 Nëntor, 2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka organizuar sot ceremoninë e mirënjohjes për 12 përfituesit e parë të skemës së re “Mësimdhënia e bazuar në hulumtim”.

Kjo skemë, e aplikuar për herë të parë nga MAShTI në bashkëpunim me projektin QAINT ka ofruar shpërblime për stafin akademik që ka përfshirë punën hulumtuese me studentë në procesin e mësimdhënies, si dhe i ka mbështetur ata me grante për zbatimin e projekteve të reja mësimore të bazuara në hulumtim.

Me këtë rast, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna theksoi se qëllimi i këtij aktiviteti është forcimi i punës hulumtuese në institucionet tona të arsimit të lartë duke mundësuar edhe pjesëmarrjen dhe zhvillimin e studentëve në këtë drejtim. Duke i uruar përfituesit për shpërblimet, ajo gjithashtu tha se të gjitha aplikimet i janë nënshtruar një vlerësimi të dyfishtë studiuesish vendorë e ndërkombëtarë dhe këto shpërblime kanë kaluar proces rigoroz të vlerësimit.

Këto skema, tha zv.ministrja Maloku Bërdyna, tashmë janë përfshirë edhe në Programin Kombëtar të Shkencës, i cili është duke u finalizuar. Ajo shtoi se, e gjithë kjo punë po bëhet në mënyrë që të nxiten e përkrahen kërkimet shkencore në vend dhe të rritet potenciali ynë edhe në skenën ndërkombëtare, sidomos pas pjesëmarrjes së Kosovës si shtet i asocuar në Horizon Europe.

Zv.ministrja falënderoi shtetin e Austrisë, Agjencinë Austriake për Bashkëpunim (ADA) dhe organziatat implementuese për bashkëpunimin në këtë aktivitet, ndërsa uroi që përituesit e kësaj skeme të kenë suksese në punën e tyre shkencore.

Për rëndësinë e kësaj skeme, foli edhe udhëheqësja e Zyrës së ADA-s në Kosovë, Sandra Horina, e cila ndër të tjera tha se cilësia e përgjithshme për akademikët e rinj duhet dhe do të përmirësohet. Ajo shtoi se në MAShTI ka gjetur partnerë të besueshëm e përkrahës dhe është falenderuar për bashkëpunimin frytdhënës në këtë nismë me vlerë.

Last modified: 23 Nëntor, 2022

Comments are closed.