Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në prezantimin e udhëzimeve administrative dhe Manualit për zbatimin e pakos ligjore për Sistemin e licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve.
Kjo pako e legjislacionit përfshinë: UA për sistemin e licensimit dhe karrierën në mësimdhënie,
UA për Këshillin Shtetëror për licencimin e mësimdhënësve (KSHLM), UA për zhvillimin profesional të mësimdhënësve (ZHPM), UA për kriteret dhe procedurat e aprovimit të programeve për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe punonjësve arsimorë, UA për vlerësimin e përformancës së mësimdhënësve, Manuali për zbatimin e pakos ligjore për sistemin e licencimit dhe avancimi në karrierë të mësimdhënësve.
Një sistem i qëndrueshëm dhe i zbatueshëm i licencimit dhe zhvillimit në karrierë është një nga prioritetet strategjike të Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës 2022-2026, në funksion të rritjes dhe përmirësimit të cilësisë në arsim.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast tha se jemi duke jetësuar një reformë të madhe për mësimdhënësit tanë, atë të zhvillimit në karrierë, e cila është çelësi për një cilësi të rritur në shkollat tona. “Kjo pako e legjislacionit sot thërret për përkrahje të vazhdueshme për të gjithë mësimdhënësit në rrugëtimin e tyre në karrierë”, u shpreh ajo.
Ministrja Nagavci theksoi se është punuar shumë gjatë këtyre dy viteve në mënyrë që të kompletohet jo vetëm infrastruktura ligjore, por gjithë mekanizmat e nevojshëm që garantojnë meritokraci në punë, duke nxitur kështu përmirësimin e performancës dhe llogaridhënies së mësimdhënësve.
Po ashtu, ministrja ka vlerësuar punën e grupeve punuese dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në hartimin e këtyre udhëzimeve, si dhe Bashkimin Evropian që përmes projektit KosEd ka përkrahur me ekspertizë ndërkombëtare dhe vendore këtë proces.
Sipas kësaj pakoje ligjore, ministrja Nagavci tha se janë paraparë faza e hyrjes në profesionin e mësimdhënies, licenca e karrierës, licenca e avancuar dhe licenca e përhershme e mësimdhënësit.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi tha se ka një rënie të interesimit të të rinjve për të studiuar për mësuesi, andaj kjo iniciativë e MAShTI e balancon kontrollin dhe mbështetjen e mësimdhënësve dhe mbështetë zhvillimin e tyre në karrierë.
Pakoja ligjore, e cila do të dalë në diskutim publik, u vlerësua e rëndësishme nga pjesëmarrësit të cilët patën pyetje dhe komente rreth mundësisë së zbatimit të suksesshëm në praktikë dhe përcaktimit të kompetencave të komunave në këtë proces.
Last modified: 3 Maj, 2023