MASHT

U përurua objekti i ri i Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr.Xheladin Deda” në Mitrovicë

28 Shtator, 2016

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, përuruan objektin e ri të Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr.Xheladin Deda” në Mitrovicë.

Ministri Bajrami, me këtë rast, theksoi rëndësinë e ndërtimit të objekteve të reja shkollore për nxënësit, por edhe për mësimdhënësit e komunitetin. “Nuk ka moment më të mirë se sa të marrësh pjesë në përurimin e një shkolle kaq të bukur, t’u mundësosh nxënësve një arsim sa më të mirë, një arsim cilësor”, u shpreh Ministri.

Ministri Bajrami theksoi se të gjithë jemi krenarë me këtë shkollë, nga e cila kanë dalë individë dhe intelektualë të dalluar që dhanë kontribut të çmuar edhe në kohë të vështira në shtetndërtimin e Kosovës. 

“Si mësimdhënës duhet të punojmë që kjo shkollë me traditë të përgatisë nxënës të shkëlqyeshëm dhe të jetë lidere në Kosovë sa i përket cilësisë dhe përgatitjes së kuadrove”, tha ministri Bajrami.

Në vazhdim, Ministri tha se sot së bashku po e kremtojmë 70 vjetorin e shkollës, por në një objekt të ri dhe modern. “Mirëpo, ndërtimi i një shkolle është vetëm gjysma e punës dhe pjesa tjetër na mbetet neve dhe mësimdhënësve që të angazhohemi maksimalisht për t’iu ofruar nxënësve tanë një arsim modern, një arsim cilësor”, tha ministri Bajrami.

Kryetari Veseli u shpreh i gëzuar për ndërtimin e kësaj shkolle, sepse theksoi se po përurohet kjo shkollë, e cila ka vite që nuk e ka pasur lokacionin e duhur. “Po krijohen kushte të mira që, ju nxënës të dashur, të përgatiteni dhe t’i shërbeni shëndetit të njerëzve tanë, t’i shërbeni vendit tuaj, të bëheni mjekë të aftë dhe të respektuar nga të gjithë, ashtu siç është profesioni i juaj i shenjtë”.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.