MASHT

U MBAJT TRYEZA E DISKUTIMIT “PREJ POLITIKAVE NË PRAKTIKË: SHQYRTIMI I PROGRESIT NË ARSIM TË LARTË DHE SHKENCË”

17 Prill, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Tryezën e diskutimit “Prej politikave në praktikë: Shqyrtimi i progresit në arsim të lartë dhe shkencë”, e organizuar nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport dhe Edutask.

Tryeza e organizuar kishte për qëllim diskutimin rreth katër temave: Progresi i zbatimit të Ligjit për Akreditim; Financimi i bazuar në performancë; Strategjia e specializimit të mençur; Financimi, masat dhe përkrahja për kërkim dhe inovacion, me synimin që ky diskutim të kontribuojë në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, që nga fillimi i mandatit arsimi i lartë ka qenë në krye të prioriteteve, të vetëdijshëm që rinia jonë aty e merr shtysën madhore për t’iu bashkëngjitur tregut të punës dhe kësisoji zgjerohen hapësirat për lëvizje, rrjetëzim, përvojë, dhe avancim.

Në këtë drejtim, ministrja Nagavci theksoi se, është punuar paralelisht në infrastrukturën ligjore dhe atë programore, duke marrë parasysh aspektet sociale dhe transformimet që po ndodhin me shpejtësi. Nagavci po ashtu tha se, është thellësisht e vetëdijshme që praktikat duhet të shkojnë krah për krah me politikat, duke iu përmbajtur njëkohësisht parimeve bazë të integritetit moral dhe profesional.

Duke folur për politikat të cilat janë proceduar që nga marrja e mandatit, Nagavci përmendi miratimin e Ligjit për Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, emërimin e anëtarëve të rinj në Këshillin Shtetëror të Cilësisë në AKA, hartimin e Pojektligjit të ri për Arsimin e Lartë, funksionalizimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe finalizimin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028.

Ndërsa, sa u përket praktikave të cilat janë ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, ministrja ka përmendur krijimin e lehtësimeve për studentë të universiteteve publike, duke i liruar nga pagesa semestrale, ofrimin e bursave për 3 vjet radhazi, intensifikimin e mobiliteteve studentore dhe akademike përmes bashkëpunimit me Erasmus+ dhe projekte të ngjashme dhe praktika të tjera të cilat kanë dëshmuar gatishmërinë për të ofruar mbështetje dhe bashkëpunim në të gjitha format e mundshme, për të gjithë partnerët dhe bashkëpunëtorët.

Në këtë tryezë diskutimi të pranishëm ishin: kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, anëtarë të këtij Komisioni, Gëzim Tosuni nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, Benjamin Cornils, Koordinator i Komponentës Digital4Business, përfaqësues të universiteteve publike në Kosovë, përfaqësues nga Edutask, etj.

Last modified: 17 Prill, 2024