MASHT

U MBAJT KONFERENCA E NDËRKOMBËTARE E DEPARTAMENTIT TË PSIKOLOGJISË TË UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS

17 Prill, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Departamentit të Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës “Fuqizimi i mirëqenies në qarqet akademike: Roli i arsimit të lartë në mbështetjen e studentëve dhe stafit”.

Qëllimi i kësaj Konference është të shqyrtojë dhe diskutojë çështjet e mirëqenies në kontekstin akademik. Kjo konferencë synon të adresojë rolin e arsimit të lartë në mbështetjen e studentëve dhe stafit. Përveç kësaj, ka për qëllim të ndajë njohuri dhe të nxisë diskutime rreth temave të mirëqenies në qarqet akademike.

Ministrja Nagavci tha se, si Ministri e Arsimit dhe si Qeveri e Kosovës, e kemi të qartë se mirëqenia e qytetarëve është faktor esencial që më së miri tregon shëndetin e shoqërisë, ekonomisë, dhe demokracisë dhe që nga marrja e mandatit e kemi mbajtur në vëmendje të vazhdueshme. Kjo është bërë duke punuar paralelisht në infrastrukturën ligjore dhe atë programore duke marrë parasysh aspektet sociale dhe transformimet që po ndodhin me shpejtësi, për të siguruar mirëqenie në qarqet akademike, duke krijuar kushte të përshtatshme për punë dhe veprim.

Tutje Nagavci tha se, janë krijuar lehtësime për dhjetëra mijëra studentë të universiteteve publike duke i liruar nga pagesa semestrale, duke ofruar mbështetje me bursa (si për studentët e dalluar, për vajzat në STEM, për studentët nga komunitetet jo-shumicë etj.), po ashtu është bërë nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë, për mbështetjen financiare të projekteve kërkimore të përbashkëta mes hulumtuesve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërkaq, Dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli tha se ky është viti i dyti që organizohet një Konferencë e tillë dhe që është financuar nga Fakulteti Filozofik dhe se kjo Konferencë ka tematika shumë interesante, ku theksi vendoset në tre fjalë kyçe, në shëndetin mental, komunitetin, intervenimin po ashtu dhe fuqizimin.

Last modified: 17 Prill, 2024