MASHT

U MBAJT DËGJIM PUBLIK LIDHUR ME PROJEKTLIGJIN PËR EDUKIMIN NË FËMIJËRINË E HERSHME

15 Nëntor, 2022

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, në të cilin ka marrë pjesë zëvëndësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna.

Me këtë rast, zëvëndësministrja Maloku-Bërdyna tha se për Ministrinë e Arsimit ky Projektligj është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm sepse rregullon bazën e rritjes së fëmijëve në vendin tonë, por edhe sepse adreson sfida të kahmotshme e ofron risi që do të përmirësojnë këtë sektor.

Ajo theksoi se puna në këtë Projektligj ka qenë e gjatë dhe sfiduese, por jemi munduar që në punën tonë të kemi një qasje gjithëpërfshirëse që nxitë konsultimin me profesionistë e ekspertë të ndryshëm.

Zëvëndësministrja shtoi se në procesin e hartimit të projektligjit kemi përfshirë të gjithë akterët relevantë të fushë së edukimit për fëmijët e moshës 0-6.

Zëvëndësministrja Maloku-Bërdyna theksoi se komentet e marra gjatë konsultimit paraprak dhe atij publik të projektligjit janë trajtuar me shumë kujdes dhe janë reflektuar në këtë dokument.

Po ashtu tha se për MASHTI ka qenë shumë i mirëpritur fakti që projektligji ka zgjuar interes duke pranuar komente nga edukatorë, prindër, përfaqësues organizatash e ekspertë të barazisë gjinore, ndërmjet tjerash. 

Ndër të tjera theksoi se me këtë projektligj shënojmë edhe një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të përgjithshëm të sistemit edukativ e arsimor, social e ekonomik dhe po përmirësojmë bazën e zhvillimit të fëmijëve.

Për të stimuluar rritjen e shëndoshë dhe arritjen e potencialit të fëmijëve, Projektligji për Edukimin në Fëmijëri të Hershme rregullon të gjitha format e ofrimit të shërbimeve të edukimit për më të vegjlit tanë – nga lindja e deri në momentin që hyjnë në klasën e parë në shkollën fillore.

Ndryshe, Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme është miratuar në qeveri në korrik të 2022, ndërsa është miratuar në parim nga Komsioni Parlamentar për Arsim në shtator 2022.

Last modified: 15 Nëntor, 2022

Comments are closed.