Kosova shënon rritjen më të madhe në përfitim të projekteve nga programi Erasmus+, pasi që për thirrjen e vitit 2022, për financim nga Komisioni Evropian, Kosova përfiton gjithsej 21 projekte. Prej tyre, 11 janë për ngritjen e kapaciteteve të arsimit të lartë, 1 projekt Jean Monnet dhe 9 projekte në fushën e arsimit profesional.
Kështu është bërë e ditur nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, si dhe Mimika Dobroshi nga Zyra e Erasmus + në Kosovë, në një konferencë të përbashkët për medie, ku janë publikuar rezultatet e projekteve për ngritje të kapaciteteve në arsimin e lartë dhe në arsimin profesional, për këtë vit.
Me këtë rast, ministrja Nagavci, përmendi faktin se nga viti 2015, pra që nga fillimi i Programit Erasmus+ në Kosovë, Kosova ka pasur një rritje të vazhdueshme në përfitim të mobiliteteve dhe projekteve, që në përqindje tregon rritje 20-30 përqind nga viti në vit. Ndërsa, ajo theksoi se për vitin 2022, me 21 projekte të fituara, Kosova shënon rritjen më të madhe të përfitimit nga ky program.
Duke folur për politikat për zhvillim dhe cilësi në arsim, ministrja theksoi se Komisioni Evropian ka qenë dhe mbetet partneri ynë më i rëndësishëm në të gjitha këto fusha, ndërsa tha se projektet e tilla të financuara nga Komisioni Evropian na ndihmojnë që të arrijmë objektivat tona sipas Planit Strategjik dhe më shumë.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ftoi të gjithë që të shfrytëzojnë këto mundësi që ofron programi Erasmus+, për t’u siguruar që i arrijmë të gjitha shtresat në shoqërinë e Kosovës. Ambasadori Szunyog, ndër të tjera, theksoi se Erasmus+ nuk është vetëm një program tjetër, por është një dritare drejt botës dhe një investim i vlefshëm në rritjen e kapaciteteve në Kosovë.
Ndërkaq, Mimika Dobroshi nga Zyra e Erasmus+ në Kosovë, tha se në periudhën 2021-2027, sa është kohëzgjatja e Programit të ri Erasmus+, janë hapur edhe mundësi të reja për Kosovën në fushën e rinisë dhe të sportit.
Nga viti 2015-2020, 3880 studentë dhe staf akademik e administrativ kanë lëvizur në Evropë dhe 2074 janë zhvendosur në Kosovë përmes aksionit të shkëmbimit të kredive të programit Erasmus+.
Deri në vitin 2020, institucionet e arsimit të lartë në Kosovë kanë fituar 38 projekte për Ngritjen e Kapaciteteve në fushën e Arsimit të Lartë, 508 projekte për shkëmbime afatshkurtëra të Kredive dhe 2 projekte për Master të përbashkët (Erasmus Mundus Joint Masters).
Last modified: 15 Nëntor, 2022